Radio Kosova e Lirë shënon 20-vjetorin, vlerësohet zë i lirisë

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 12:55 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Radio Kosova e Lirë, ka shënuar 20-vjetorin me një program artistik e kulturor.

Në fillim të këtij përvjetori në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit dhe gjithë martirëve të kombit u mbajt një minutë heshtje, raporton Ekonomia Online.

Ahmet Qeriqi, drejtor i Radio Kosova e Lirë ka folur për vështirësitë e radios në fillet e saja më vitet 99 dhe suksesin e tanishëm.

“Radio Kosova e Lirë ishte zëri që lëshoi jehonë lirie dhe filloi të përhapej nga 4 janari i vitit 1999 deri sot kurrë pa u ndalur. Kurrë nuk kam menduar se do të mbahemi aq gjatë, kam menduar se dita e parë do të transmetohej por nuk ka qenë e sigurt asnjë ditë tjetër”, u shpreh Qeriqi.

Qeriqi shtoi se Radio Kosova e Lirë nuk e mori mbështetjen e kërkuar në fillet e saja, sipas tij, kjo mos përkrahje erdhi si pasojë që kjo radio nuk iu nënshtrua dhe nuk pranoi të bëhet vegël e askujt.

“Në këtë luftë na kanë përbuzur edhe disa që kemi prit të na ndihmojnë si zërin e vetëm të UCK-së, disa na kanë injoruar për faktin se nuk kemi pranuar me u bë vegla e as pjesë e zjarrit të mëkateve të tyre. Ju falënderoj gjithë juve që keni ardhur me shpresë se ky zë do jehojë dhe vazhdoj edhe më tutje”, shtoi Qeriqi, raporton Ekonomia Online.

Në këtë përvjetor u përurua libri dokumentar i kushtuar Radios Kosovës së Lirë dhe gazetarëve që punuan në fillimet e saja të vështira dhe deri më tani me titullin “20 vjet zëri i lirisë”.

Autorja e këtij libri, Elmie Plakiqi tha se libri “20 vjet zëri i lirisë” paraqet një kronologji të tërë të ngjarjeve që nga koha e luftës.

“Stafi i radios ka shkruar caqe të heroizmit e sidomos në luftë sepse me qëndrimin e saj militantët shquan terrin informativ në Kosovë dhe pati guximin për çdo ditë në ora 16:00 të hap programin duke thënë ‘Ju flet Kosova e Lirë’, fjalë që hyjnë në histori dhe janë të fuqishëm nga Nusret Pllana. Në këtë libër janë sistemuar shkrime, analiza, dokumente të kohës së luftës e pasluftës dhe është prezantuar një pjesë e aktiviteteve informative-kulturore që kjo Radio ka ushtruar me vite”, shtoi Plakiqi.

Plakiqi tha se libri është i ndarë në 4 pjesë.

“Ky libër do mbetet dëshmi e kohës dhe përpjekjeve të pareshtura për rezistencën e një mediumi që nuk u përkrah e u injorua, por mbijetoi ashtu siç mbijetuan shqiptarët kudo në trojet e tyre”, tha ajo.

Haki Bajrami, bashkëpunëtor i Radio Kosova e Lirë ka falënderuar gjithë ata që punuan dhe mbështetën punën e radios.

Ndërsa, këngëtarja Mrikë Trumshi ka performuar një këngë kushtuar Radio Kosovës së Lirë.

Gjithashtu në fund është shfaqur pjesa e parë e filmit dokumentar: “Zëri i fitores”.

Të ngjashme