Rama: FSK-ja e gatshme të dërgojë trupa dhe pajisje shtesë në Shqipëri

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 13:06 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se gjatë ditës së djeshme, 50 trupa të ushtarëve të FSK-së janë dërguar për Shqipëri, pas tërmetit që ndodhi një ditë më parë.

Gjenerallejtënant Rama tha për EkonomiaOnline se nëse është e nevojshme FSK-ja është e gatshme të përkrahë Shqipërinë edhe me trupa e pajisje shtesë.

Ai tha se së bashku me Presidentin Hashim Thaçi, do të shkojnë në Shqipëri, për të parë nga afër punën që po bëjnë për të ndihmuar të plagosurit nga ky tërmet.

“Realisht me të marrë informacione me gjitha ato procedura tjera që i kemi zhvilluar dhe ne aktualisht i kemi 50 trupa atje që janë njësitet e specializuara të kërkim-shpëtimit urban. Sot do të shkojmë së bashku me Presidentin Hashim Thaçi do t’i vizitojmë dhe do shohim dhe në realitet çfarë mund të them deri tash që në bazë të raporteve por edhe komunikimit që kemi me autoritetet e ushtrisë atje, unë jam shumë i nderuar dhe Kosova duhet të ndihet krenare për punën dhe angazhimin e pjesëtarëve të FSK-së që janë duke e bërë atje. Unë e kam thënë edhe më herët dhe e them sërish se varësisht prej nevojave që do t’i kenë autoritetet e Shqipërisë ne jemi të gatshëm edhe me trupa shtesë që t’i mbështesim dhe të jemi pranë tyre në këto momente më të vështira edhe për familjarët”, tha Rama.

Rama tha se është ndier krenar me disiplinën dhe profesionalizmin e treguar nga ana e ushtarëve FSK-së.

“E para unë ndihem i nderuar dhe krenar për punën, angazhimin, disiplinën dhe profesionalizmin e treguar nga ana e ushtarëve tanë. Pjesë e këtij kontributi mund ta them se janë edhe partnerët tanë strategjik që na kanë përkrahur, qoftë me pajisje po edhe me trajnime që i kemi marrë. Është diçka e madhe për Kosovën dhe është obligim dhe detyrë e jona ligjore që ne të marrim masa, ti parapërgatitim dhe t’i kryejmë detyrat dhe obligimet tona kushtetuese dhe ligjore”, tha ai për EO.

Për fund Rama ngushëlloi gjithë familjarët e prekur nga kjo tragjedi.

Të ngjashme