Ramadani: Paqja e përhershme në Ballkan arrihet nepërmjet integrimit në NATO

Prishtinë | 20 Qer 2019 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovë.

Me këtë rast zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, mirëpriti delegacionin nga Shqipëria të udhëhequr nga Florian Kali, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Mbrojtjes të Ministrisë të Shqipërisë.

Numri dy i mbrojtjes në Kosovë, i informoi mysafirët nga Shqipëria rreth hapave transformues të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për procesin e hartimit dhe të miratimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, si dokument thelbësor ku do të mbështeten objektivat e ardhshme reformuese të aparatit shtetëror.

Ramadani delegacionin nga Shqipëria e njoftoi edhe me përkushtimin e Kosovës në synimet për anëtarësim në NATO, duke shprehu bindjen se paqja e përhershme në Ballkan arrihet përmes integrimeve Euro-Atlantike.
Delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditës së sotme, u prit edhe nga Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane dhe koloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrimet Euro-Atlantike në Ministri të Mbrojtjes.

Më pas të dy delegacionet vazhduan takimet e përbashkëta me qëllim të koordinimit të proceseve të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes në harmonizimin e qëndrimeve dhe realizimit të tyre në bazë të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2020.

Të ngjashme