Ramadani për Omicron: Nëse situata shkon jashtë parashikimeve duhet të shkohet me hapa edhe më shtrëngues

Prishtinë | 27 Dhj 2021 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Në dy javët në vijim do të mund të kuptohet se si do të manifestohet varianti i ri Omicron i COVID-19 i cili është i pranishëm në vend. Infektologu Hamdi Ramadani thotë se gjatë këtyre dy javëve do të shihet nëse situata me pandeminë do të përkeqësohet. Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se ende nuk kanë marrë ndonjë rekomandim për ashpërsim të masave.

Nëntë raste të infektuara me variantin Omicron të COVID-19 i cili është më i transmetueshëm se ai Delta, janë identifikuar së fundmi në Kosovë.

Me praninë e këtij varianti, infektologë në vend thonë se është ngarkuar situata epidemiologjike.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se në dy javët në vijim do të shihet se si do të manifestohet ky variant dhe nëse situata do të përkeqësohet.

“Mbetet në ditët në vijim, ose në këto dy javët që do të vijnë që të shohim se si po manifestohet sëmundja ose pandemia me Omicron dhe në qoftëse situata shkon jashtë parashikimeve duhet të shkohet me hapa edhe më shtrëngues dhe kufizues”, ka theksuar ai.

Ramadani ka thënë se dy dozat e para të vaksinës Anti-COVID nuk janë aq efektive ndaj këtij varianti.

Andaj ai ka deklaruar se duhet të ndërmerren veprime që qytetarët të marrin edhe dozën e tretë.

“Është vërtetuar që dozat e vaksinës nuk kanë dhënë mbrojte, në këtë kuptim është miratuar doza e tretë edhe nga OBSH pikërisht për ta luftuar Omicronin COVID-19. Tani për tani kemi përqindje shumë të vogël të qytetarëve me dozën e tretë, por duhet të bëhet gjithçka që të jetë e mundshme që qytetarët të vrapojnë dhe të marrin edhe dozën e tretë, sidomos grupmoshat e caktuara, ata mbi 65 vjeç, punëtorët shëndetësorë, pacientët me sëmundje kronike”, ka thënë ai.

Tutje ai është shprehur se nëse qytetarët do të respektojnë me përpikëri masat Anti-COVID dhe do të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, do të mund të menaxhohet gjendja me pandeminë dhe me variantin Omicron, raporton Express

“Omicron ka paraqitur shqetësime në nivel botërorë. Doza e tretë e vaksinës në nivel botëror është bërë për ta luftuar Omicronin COVID-19. Tani për tani masat janë në konform të situatës dhe mbetet ditët në vijim që të shihet situata epidemiologjike. Masat duhet të respektohen dhe unë mendoj që mundet vendi ynë të kaloj me pak infeksione me më pak të sëmurë, se Omicron veç është i pranishëm. Me masa përkatëse dhe me përgjegjësinë e qytetarëve, mund të ja dalim që të kalojmë situatën më të mirë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, infektologu dhe deputeti nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj ka thënë për gazetën se varianti Omicron konsiderohet si variant relativisht i rrezikshëm.

Ai është shprehur se beson që vala e re e variantit Omicron do të jetë më e lehtë dhe e menaxhueshme.

“Varianti Omicron konsiderohet relativisht i rrezikshëm bazuar në faktin se është shumë kontagjioz. Besoj që vala e re do të jetë më e butë se vala Delta kështu që po besojmë që Kosova do të jetë vendi që do ta menaxhoj me sukses edhe variantin Omicron”, ka shtuar ai.

Zëdhënës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se  Kosova po regjistron një numër të vogël të rasteve të infektuara, andaj edhe kjo e dëshmon situatën në të cilën është vendi sa i përket pandemisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se institucionet përkatëse gjurmojnë kontaktet e personave të infektuar me COVID-19, edhe të atyre që kanë ardhur nga jashtë, një pjesë e të cilëve kanë rezultuar pozitiv me variantin Omicron.

“Cila është situata aktuale, këtë e tregojnë raportet ditore për rastet COVID-19 dhe situata në spitale, ku ka një numër të vogël për momentin të rasteve me COVID-19”, kanë thënë nga kjo ministri.

Përkundër të identifikimit të variantit Omicron në vend, zëdhënës për informim në MSH kanë treguar se ende nuk kanë marrë ndonjë rekomandim për ashpërsim të masave.

“Aktualisht janë në fuqi një seri masash të cilat duhet të zbatohen për përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi I plotë, ndërsa në varësi prej aspekteve që u theksuan më lart, Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit të tyre apo lirimit të tyre. Pra çdo ndryshim i masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, është thënë nga kjo ministri, raporton express.

Sa i përket pranisë së variantit Omicron në Kosovë, drejtori i Klinikës Infektive në QKUK ka treguar për gazetën se gjatë ditës së nesërme do të flasin para mediave.

Përndryshe, ai ka treguar se në këtë klinikë sot kanë qenë të shtrirë 4 pacientë, 3 prej të cilëve pozitiv me COVID.

3 prej pacientëve sipas tij kanë qenë të infektuar me dy doza të vaksinës Pfizer.

Kujtojmë që varianti Omicron i COVID-19 besohet se është më infektues se variantet paraprake dhe se vaksinat janë më pak efektive ndaj tij.

Mirëpo, ky variant vlerësohet se nuk është më i rëndë se ai Delta.

Të ngjashme