Ramosaj synon edhe një mandat, kritikon Qeverinë për mosfinancim të ndërtimit të rrugës Deçan- Plavë

Prishtinë | 09 Maj 2021 | 08:07 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar kandidimin edhe për një mandat. Tutje ai foli sa i përket ndërtimit të rrugës Deçan- Plavë, duke shtuar se mungon financimi nga ana e Qeverisë.

“Për rrugën Deçan-Plavë ne kemi bërë një marrëveshje në tetor të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje pritet vetëm të zbatohet duke u bërë financimi i saj. Për momentin nuk e kemi të buxhetume këtë pjesë të rrugës që bëhet fjalë për 5 kilometra që është në zonën e Deçanit dhe është obligim i Qeverisë së Kosovës që ta financojë këtë rrugë përkundër përpjekjeve tona si komunë ende nuk kemi mundur të sigurojmë buxhet për këtë pjesë të rrugës”, tha ai.

Ai ka thënë se projektet e komunës së Deçanit janë të shumta, e që kanë të bëjnë me Infrastrukturë, Arsim, Shëndetësi e Kulturë.

“Projektet e komunës së Deçanit janë të shumta. Një pjesë e këtyre projekteve janë natyrë të infrastrukturës, një pjesë janë të sektorit të arsimit, të shëndetësisë, kulturës dhe një pjesë e projekteve kanë tepër të rëndësishme sepse e standardizojnë jetën e qytetarit. Pastaj janë trajtimi i lumenjve, përroskave që të mos krijojnë vërshime në toka bujqësore”, shtoi Ramosaj.

Ramosaj tha se do të kandidojë për kryetar të komunës së Deçanit duke shpresuar se do ta fitojë prapë besimin e qytetarëve.

“Tashmë është marrë vendim nga strukturat e partisë që unë do të jem kandidat për kryetar të komunës së Deçanit. Mbetet të shihet mirëpo unë jam munduar t’i trajtojë mirë njerëzit në këtë qytet dhe kam realizuar projekte të rëndësishme për këtë qytet dhe qytetarët dhe po besoj që kam ndërgjegjen e pastër për të kërkuar mbështetjen e tyre edhe një herë”, tha ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme