AAK: Ramushi lirohet nesër, e presim në sheshin “Zahir Pajaziti”

Prishtinë | 26 Pri 2017 | 18:44 | Nga

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se presin që kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, të lirohet nga mbajtja në Francë.

Ai ka deklaruar se, në bindjen e tij, drejtësia franceze nuk ka më asnjë arsye për ta mbajtur Haradinajn; lirimi i të cilit sipas Abrashit do të ishte triumf i drejtësisë, njofton Klan Kosova.

“Interesimi është shumë i madh, pasi nesër në orën 09:00 pritet të merret vendimi për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ka një optimizëm të madh, që nesër do të merret vendimi që ai të kthehet në Kosovë. Besoj që nesër do të fitojë së pari drejtësia; do të fitojë Ramushi, do të fitojë Kosova”.

“Besojmë plotësisht në drejtësinë franceze dhe jemi të bindur që nesër ai do të lirohet. Do të kemi një organizim në selinë e AAK-së dhe në sheshin Zahir Pajaziti, në orën 18:00. ku masës do t’i drejtohet Ramush Haradinaj”.

“Këta tre muaj e gjysmë duhet të kenë qenë të mjaftueshëm që drejtësia franceze të marrë vendimin e duhur. Nuk ka më asnjë arsye që ai të mbahet më në Francë”.

“Të gjithë atë që e kemi dëgjuar nga mediat serbe për Haradinajn ka qenë e pritshme dhe jobefasuese. Por ai e ka kaluar sfidën e madhe, në Hagë. Jam i bindur që nuk ka më asnjë arsye që Ramushi të mbahet në Francë”.

Ramush Haradinaj është arrestuar nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia më 2004.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme