Salihaj: Ramushi do të lirohet pa kushte

Prishtinë | 09 Shk 2017 | 08:26 | Nga

Ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Jonuz Salihaj, ka thënë se vendimi i sotëm i gjykatës së Colmarit pritet të jetë lirues dhe pa kushte për Ramush Haradinajn.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, ai ka thënë se kërkesa për ekstradim të Haradinajt në Serbi është politike.

“Mundësia e ekstradimit të tij në Serbi është zero. Kosova është shtet dhe nuk ka asnjë mundësi që Franca një qytetar të Kosovës ta ekstradojë në Serbi. Gjatë mandati tim si ministër i Drejtësisë kam pasur rastin e Naser Shatrit, ku Suedia nuk ka mundur ta ekstradojë në Serbi, por e ka ekstraduar në Kosovë”, ka theksuar Salihaj.

Ai ka thënë se prokuroria serbe nuk ka asnjë provë të re ndaj kreut të AAK-së, vetëm se po manipulon me opinionin e saj të brendshëm. “Vendimi përfundimtar i gjykatës, sipas të gjitha gjasave, do të jetë lirimi përfundimtar dhe pa kushte i Ramush Haradinajt. Ne presim që Haradinaj të enjten ose të premten të kthehet në vendlindje dhe ta vazhdojë aktivitetin e vet politik këtu”, ka thënë ai.

Salihaj ka theksuar se Serbia është duke e keqpërdorur të drejtën ndërkombëtare në këtë rast pasi nuk ka fakte të reja.

“Ky është manipulim që Serbia po bën me opinionin, sepse ata nuk kanë asnjë fakt të ri për këtë çështje. Të gjitha akuzat e Serbisë ndaj Ramushit janë të vitit 2004 të cilat janë hedhur poshtë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”.

“Aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës së Hagës ka qenë lirues. Në këtë rast, Serbia ka vepruar politikisht duke e zvarritur rastin se gjoja po kërkon argumente të reja sa për ta mbajtur Ramushin për këto 40 ditë në Francë. Pra, kjo çfarë po bën Serbia është manipulim me të vërtetën”, ka thënë Salihaj.

Ai ka treguar edhe arsyet pse Serbia po merret me Haradinajn. “Ramushi ka qenë dhe mbetet e vetmja lokomotivë që mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje e rëndë. Natyrisht se Serbia e di këtë punë. Pastaj, Serbia e di se Ramushi është njeri me të cilin ka pasur shumë punë gjatë luftës çlirimtare, pra ai u ka dalë atyre ‘kafshatë që nuk kapërdihet’. Dhe, sigurisht se është e interesuar shumë që Ramushin ta dërrmojë në çdo mënyrë, por nuk do t’ia arrijë këtij qëllimi. Ramushi do të vijë në Kosovë dhe do t’u prijë institucioneve në një të ardhme të afërt”, është shprehur Salihaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme