Raporti i auditimit del të jetë i mirë për Komunën e Gjakovës

Prishtinë | 21 Kor 2016 | 15:53 | Nga

Raporti i Auditorit për vitin 2015 ka qenë fokusimi kryesor i mbledhjes së shtatë të Kuvendit të Komunës së Gjakovës për këtë vit, ku duke u bazuar në gjetjen e auditorit edhe janë dhënë vërejtje dhe kritika nga ana e këshilltarëve komunal, sidomos nga opozita.

Në një njoftim për media thuhet se ndonëse raporti është vlerësuar si pozitiv dhe i pamodifikuar, në kritikat e shprehura kryesisht kanë ardhur në shprehje Zyra e Prokurimit, menaxhimi, mos implementim i projekteve të nisura, donacionet, pronat komunale e të tjera.

“Pas kritikave të shprehura prej asamblistëve oponentë, te cilët kanë theksuar se bëhet fjalë për tetëmbëdhjetë rekomandime, prej të cilave dhjetë me prioritet të lartë, dhe asnjë me prioritet të ulët, kryetarja Mimoza Kusari – Lila, duke shprehur argumentimet e saja, ka theksuar se raporti i auditorit flet për një qeverisje të përmirësuar, ku vlerësohet zbritja e borxheve nga qeverisja e shkuar, ku fokusohet në 22 për qind e uljes së shpenzimeve të reprezentacionit, 25 për qind e uljeve të shpenzimeve të karburanteve, mandej në dhjetëra marrëveshje të nënshkruara me donatorë në shumë prej mbi 133 mijë euro përmes llogarisë bankare”, thuhet në njoftim.

Sa i përket Zyrës së Prokurimit, e cila edhe ka qenë në shënjestër të kritikave të asamblistëve opozitarë, duke konsistuar në raportin e auditorit, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka thënë se kjo zyrë vepron e pandikuar, dhe se pranimi i punëve të kryera është çështje e menaxhmentit të projektit, e jo e Zyrës së Prokurimit.

“Duke u fokusuar tek tejkalimi i shpenzimeve të telefonisë, kryetarja Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se bëhet fjalë për 180 euro, në tri raste të ndara. Lidhur me këtë Kusari – Lila ka thënë se nuk është asgjë në krahasim me uljet e shpenzimeve për luks, reprezentacion, dreka darka apo karburante. Duke iu përgjigjur kritikave për mos vazhdimin apo përfundimin e projekteve të nisura nga ish – qeverisja, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka potencuar se pos borxhit të trashëguar në vlerë prej 6 milionë euro, gjithashtu ka trashëguar edhe 21 milionë euro të vlerës së projekteve të nisura pa zotim të atyre mjeteve”, thuhet në njoftim.

Pronat komunale ka qenë ndër kritikat e oponencës në mbledhjen e sotme, për të cilën kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka rikujtuar se do të duhej të kryhej më herët nga ish – qeveritë, ndërkohë që tani jemi në proces, ku dihet çdo pronë banesore, të lokaleve dhe atyre bujqësore, e ku përmes Demos-it që ka angazhuat katër gjeodetë do të fillohet të bëhet edhe matja e tyre.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, fjalën e saj kundërshtuese ndaj oponencës e ka përmbyllur duke u bërë thirrje asamblistëve që para qytetarëve të mos prezantojnë paragjykime, por vetëm pyetje konkrete, dhe të jetë e qartë se nuk ka dhe nuk do të ketë vend në këtë qeverisje për vendime tendencioze.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme