Raporti: Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e azilkërkuesve nga Evropa

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 11:03 | Nga

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në vitin 2015, sipas një raporti të fundit të Pew Research Center, që ka analizuar të dhënat nga Eurostat, Agjencia Statistikore e Bashkimit Evropian.

Sot, thotë raporti, vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve në vitin 2015 kishin origjinë nga vetëm tri vende: Siria, Afganistani dhe Iraku.

Disa prej azilkërkuesve të Evropës në vitin 2015 ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve. Gati një në pesë azilkërkues në vitin 2015 (17%) kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 në 2014), Shqipëria (67.000 në vitin 2015, nga 16.000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga 14.000 në vitin 2014).

Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë për kërkesat për azil (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tri shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje, raporti vë në dukje se Evropa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azilkërkues.

Në total, një rekord prej 1.3 milionë emigrantësh kanë aplikuar për azil në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evopian, Norvegji dhe Zvicër në 2015 – pothuajse dyfishi i rekordit të mëparshëm prej 700.000 vetësh, që ishte vendosur në vitin 1992, pas rënies së “Perdes së Hekurt” dhe rënies së Bashkimit Sovjetik.

Që nga viti 2012, Gjermania ka qenë vend kryesor destinacioni për azilkërkuesit në Evropë, duke marrë 442.000 kërkesa për azil vetëm në vitin 2015. Pas Gjermanisë vjen Hungaria (174.000 aplikacione) dhe Suedia (156.000). Ndërkohë, Franca (71.000) dhe Mbretëria e Bashkuar (39.000) kanë marrë afërsisht numrin e njëjtë të aplikacioneve në vitin 2015, si në vitet kur vala e emigracionit nuk ishte kaq masive. /Monitor

tabela-me-numrin_1476776146-4017676 numri-i-azil-kerkuesve_1476776142-8410848

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme