Raporti vjetor i GAP-it: Përfaqësimi i grave në institucione mbetet i ultë

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Instituti GAP ka publikuar raportin statistikor për vitin 2019 “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”. Ky raport paraqet në mënyrë statistikore pozitën e gruas në punësim, arsim dhe mirëqënie sociale.

Statistikat për vitin 2019 tregojnë se në Kosovë, vajzat dhe gratë janë të interesuara për shkollim dhe punësim po aq sa djemtë dhe burrat. Megjithatë, shkalla e punësimit të tyre, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror. Deri në ditën e dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj, vetëm 10% e posteve të larta drejtuese (ministra, zv.ministra, sekretarë të përgjithshëm) menaxhoheshin nga gratë. Edhe në pozitat drejtuese në administratën komunale përfaqësimi i grave mbetet mjaft i ulët, me vetëm 20%.

Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë tek burrat, më 2019, ishte 22.8% apo 6.3 pp më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë tek gratë ishte 32.7% apo 2.1 pp më e lartë se në vitin 2018. Pra, përderisa papunësia tek burrat ka shënuar rënie, tek gratë ka ndodhur e kundërta. E në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njejtit nivel me atë të burrave. Numri i burrave punëkërkues të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, në vitin 2019 ishte 52,343, kurse numri i grave punëkërkuese të regjistruara në agjencinë e punësimit ishte 43,547. Për më tepër, mbi 6,700 punëkërkuese gra i kishin të përfunduara studimet bachelor, që është numër më i lartë se sa numri i burrave punëkërkues me të njëjtin profil.

Ky është raporti i tretë vjetor përmes të cilit, në mënyrë statistikore, Instituti GAP synon të vë në pah dallimet e përfaqësimit të grave në tregun e punës, në arsim dhe mirëqënie sociale.

Të ngjashme