Rastet më të rënda në dorë të gjyqtarëve të zgjedhur në mjegull

Prishtinë | 09 Sht 2019 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Drejtësia në rastet më të rënda të krimit dhe të korrupsionit do të ndahet nga gjyqtarë ose me pak përvojë në ushtrimin e profesionit, ose që kanë afërsi me njerëz të fortë të sistemit. Këshilli Gjyqësor (KGJK) i ka përzgjedhur ata në një proces tërësisht të mjegullt, ecurinë e të cilit vazhdon ta mbajë të mbyllur.

Trupat gjyqësorë që do t’i shqyrtojnë lëndët të cilat bien në kompetencë të Prokurorisë Speciale kanë nisur punën muajin e shkuar. Është Departamenti Special i ngritur në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe departamenti me të njëjtin emër i themeluar në kuadër të Gjykatës së Apelit. Për të shërbyer në të parin, KGJK-ja ka përzgjedhur gjyqtarët: Albina Shabani-Rama, Arben Hoti, Musa Konxheli, Shahadije Gërguri, Valbona Musliu-Selimaj dhe Valon Kurtaj. Ndërkaq, në Apel ndarja e drejtësisë iu është besuar Burim Ademit, Kreshnik Radoniqit dhe Vaton Durgutit.

Mesatarja e përvojës së tyre si gjyqtarë është rreth 7 vjet dhe që të gjithë kanë nisur punën pas luftës. Ndërkaq, në mesin e 35 kandidatëve për gjyqtarë specialë kishte që kishin ushtruar profesionin me dekada dhe që kishin ndarë drejtësinë në numër të madh rastesh të krimeve të rënda, shkruan sot Koha Ditore.

Këshilli Gjyqësor, përveçqë nuk ka lejuar që ky proces i përzgjedhjes të monitorohet nga organizata të shoqërisë civile, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ai nuk i ka siguruar qasje në dokumentet relevante për procesin, dhe ka refuzuar t’ia përcjellë edhe “Kohës Ditore” informatat që i janë kërkuar përkitazi me përzgjedhjen e gjyqtarëve të të dyja departamenteve të reja, të ngritura në kuadër të sistemit gjyqësor. Kësisoj, Këshilli nuk ka treguar metodologjinë, mbi bazën e së cilës është bërë përzgjedhja dhe as nuk ka treguar përparësitë që ia kishte njohur secilit prej gjyqtarëve të përzgjedhur, krahasuar me kundërkandidatët, si për kah kualifikimi, po ashtu edhe për kah kredibiliteti, profesionalizmi, integriteti moral e performanca paraprake.

Të ngjashme