Rasti Gucati e Haradinaj, Prokurori: Sjellja e tyre tregon qartë motivin për të penguar procedurat

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Prokuroi i Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin e ish krerëve të OVL e UÇK-së, ka paraqitur faktet, që sipas tij, kanë lidhje me procedurën zyrtare të Dhomave të Specializuara dhe hetimeve të ZPS-së.

Në fjalën e tij, prokurori përmendi se midis prillit e shtatorit të vitit 2020, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në, duke i quajtur ata gënjeshtarë, bashkëpunëtorë e tradhtarë.

“Kjo sjellje tregon qartë edhe motivimin e tyre për të penguar dhe dëmtuar procedurat e Dhomave të Specializuara”, tha prokurori në fjalën e tij, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se midis 7 dhe 25 shtatorit, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, sekretari i OVL-UÇK-së Faton Klinaku si dhe Tomë Gashi – avokat i OVL-UÇK-së, bashkarishtë shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetime konfidenciale të ZPS-së.

“Inkurajuan të tjerë të shpërndajnë informacion konfidencial dhe jopublik dhe ndërmorën veprime të tjera për qëllimin e deklaruar të pengimin e punës së ZPS-së. Ky informacion konfidencial dhe jopublik përfshinte dokumente të shënuara si konfidenciale, emra dhe të dhëna personale të qindra dëshmitarëve të mbrojtur”, është shprehur ai..

Më tej, prokuroi përmendi edhe deklaratat e Gucatit dhe Haradinajt ku tha se publikisht konfirmuan se u kanë dhënë kopje të dokumenteve të nxjerra gjatë herës së parë edhe përfaqësuesve të shtypit.

“Zbuluan më shumë nga përmbajtja e dokumenteve të nxjerra gjatë herës së parë duke përfshirë hollësi të hetimeve konfidenciale”.

“Deklaruan se në dokumente përmendeshin me emra dëshmitarë si dhe përmenden data dhe vende të kryerjes së intervistave”.

“Akuzuan dëshmitarë të përmendur në dokumente se ishin tradhtarë, gënjeshtarë dhe spiun”.

Të ngjashme