Rasti i parë me Coronavirus në Mitrovicën e Jugut, punonjëse në një market

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 23:38 | Nga Ekonomia Online

Është paraqitur rasti i parë me Koronavirus në Mitrovicën e Jugut. Kjo është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK). Sipas raportit të IKSHPK-së, ky rast është rast kontakti.

“Bëhet fjalë për një vajzë 27 vjeçare, punëtore e ETC-së në lagjen e Boshnjakëve. Dyshohet se ishte në kontakt me ndonjë të infektuar nga veriu që kishte shkuar në market. Pra bëhet fjalë për dështim të karantinës nga veriu”, ka thënë nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka.

Meqë zona ku është paraqitur rasti është mjaft e frekuentuar edhe nga banorët e veriut të Mitrovicës ku ka numër të madh të të prekurve me Koronavirus, Mujka ka paralajmëruar masa të shpejta.

“Duhet të marrim masa të menjëhershme ndoshta t’i mbyllim marketet në atë zonë pasi ka shumë të tilla si dhe të fillojmë gjurmin e rasteve”, ka thënë Mujka.

Deri tani Mitrovica e Jugut ka qenë ndër komunat e pakta që nuk kishte të infektuar me COVID-19.

Të ngjashme