Rasti i vrasjeve në “Mati 1”, dështon seanca fillestare ndaj Naim Mehmetit që mbante automatikun në dorë

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj Naim Mehmetit, i cili po akuzohet për vrasje në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo ose posedim të paautorizuar të armëve.

Kjo ka ndodhur pasi në seancën e së premtes, avokati zëvendësues i Mehmetit, Argjent Tigani ka deklaruar se nga organi i ndjekjes janë pajisur pjesërisht me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka deklaruar se meqenëse kjo aktakuzë është ngritur më 29 nëntor dhe është dorëzuar në gjykatë, janë pajisur me shkresa të lëndës më 3 dhjetor.

“Dhe nga koha që është caktu seanca kanë kaluar 3 ditë, është e pamundshme të kemi mbrojtje efikase, kërkojmë të shtyhet dhe kërkohet që prokurori të përmbush obligimin e nenit 243 sepse mungojnë shumë nga shkresat e lëndës”, ka thënë avokati Tigani.

Sipas tij, për tu deklaruar i mbrojturi i tij, nevojiten shkresat e lëndës dhe duhet të konsultohen.

Kurse, prokurori Ilaz Beqiri, deklaroi se mbrojtja i posedon të gjitha shkresat e lëndës, të cilat i përkasin të pandehurit.

“Pjesërisht jo, po krejt shkresat e lëndës sa i përket të pandehurit i kanë. Për të pandehurit që është pushu procedura nuk ju duhet”, ka thënë ai.

Kurse, avokati Tigani deklaroi se video-incizimet nuk i kanë, kurse prokurori Beqiri deklaroi se ato nuk u duhen.

E më pas, avokati Tigani tha se ata nuk posedojnë aktvendimin për fillim e përfundim të hetimeve, raportin e balistikës, e atë të forenzikës, si dhe foto dokumentacionin e armëve.

“Flitet për një armë që nuk dihet as qysh doket”, tha avokati Tigani.

“Avokatit ju paskan përzi gjanat, nuk o kërka”, ia ktheu prokurori Ilazi.

Avokati Tigani, deklaroi se këto shkresa u nevojiten edhe për realizimin e kërkesës pasurore- juridike në kontest civil.

“Sepse avokati paraprak e përfaqëson edhe komplet familjen, ato shkresa që mos të bëjmë dy – tre herë kërkesa mu pajis me ato shkresa sepse edhe këta kanë humbur një familjar të tyre, e do të na nevojiten më vonë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, prokurori Beqiri, deklaroi se tash pajiset me shkresat që i nevojiten për këtë seancë, e avokati Tigani tha se edhe shkresat e tjera u nevojiten.

“Aktakuza është ngrit për Naim Mehmetin, provat që janë propozuar në aktakuzë, prokurori ka për obligim”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini

Avokati Tigani deklaroi se tre ditë nuk është kohë e mjaftueshme se duhet të konsultohen me të pandehurin, se a do të pranojë fajësinë apo do lidhin marrëveshje për pranim të fajësisë.

“Kjo kërkesë nuk është vetëm e imja, por edhe avokatit të angazhuar me autorizim, i cili nuk është konsultu me të mbrojturin dhe është pajis me shkresa të lëndës para tre dite. Varësisht nga provat e shkresat e lëndës, do të vlerësojmë se a do të hyjmë në marrëveshje apo diçka tjetër”, ka thënë ai.

E më pas, ai precizoi provat të cilat sipas tij, u mungojnë aktvendimi për fillimin, pushim e përfundim të hetimeve, video-incizimet, fotot e armës, raporti i balistikës, raporti i forenzikës, si dhe skica e vendit të ngjarjes.

Kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, tha se provat që posedojnë gjykata e prokuroria, ka të drejtë t’i ketë edhe pala mbrojtëse.

“Nëse nuk është në gjendje të deklarohet, nuk mundemi ta obligojmë të deklarohet, deshta një mendim tëndin prokuror. Ndryshe du me të obligu me pajis me shkresa të lëndës”, ka thënë ajo.

Kurse, prokurori Ilazi tha se sa i përket të pandehurit Mehmeti, lënda është voluminoze dhe është e mundur që ndonjë nga shkresat e lëndës ka mbetur pa u dorëzuar të mbrojtja.

“Mirëpo, sa i përket kërkesës së mbrojtësit që thotë aktvendimin për pushim të hetimeve, nuk e di çka i duhet, kur për ata që pushohen hetimet, nuk zhvillohet procedura penale. Mbrojtjes ja ofroj provat që i kom propozu mu administru në shqyrtim gjyqësor dhe ato prova do t’i ketë edhe mbrojtja”, ka thënë ai.

E kryetarja e trupit gjykues i tha prokurorit Ilazi që provat që i disponon dhe shkresat e lëndës t’ia dorëzojë avokatit.

“Duhet të mësoheni se provat e shkresat e lëndës jepen kur ngritet akuza, e jo kur t’ju teket ktyne me bo kërkesë hala pa u marr në pyetje të pandehurve”, ka thënë prokurori Ilazi në fund.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 12 dhjetor, me fillim nga ora 13:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 nëntor 2019, ekziston dyshimi i bazuar se pas një kontesti pronësor që kishin mes vete familja Rafuna dhe Mehmeti, më 5 shtator 2019, rreth orës 15:40, në kryqëzimin e rrugës “Muharrem Fejza” dhe “Jakov Xoxa”, i pandehuri Naim Mehmeti ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të ndjerin Mufail Rafuna.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që paraprakisht është fjalosur me tani të ndjerin rreth anësorëve të shkallëve, të cilat i kishte hekur Mufail Rafuna dhe në momentin kur tani i ndjeri ka nxjerrë armën nga çanta, i pandehuri ka filluar të ikë rreth lokaleve duke vrapuar.

Sipas akuzës, i ndjeri Rafuna ka shtënë në drejtim të të pandehurit me revole dhe e ka goditur në pulpin e këmbës së majtë dhe në gishtin e madh të asaj këmbe.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka shkuar në banesën që gjendet në katin e tretë, ka dëgjuar të shtënat e armëve, ka marrë armën automatike, ka dal në hyrje të banesës, ka parë të plagosur Mufail Rafunën, e vëllain e tij, Bashkim Mehmetin, por fatmirësisht tani në ngjarje ishte implikuar pjesëtari i Policisë së Kosovës, në rroba civile, Irfan Bunjaku, i cili ka arritur që të pandehurit t’ia marrë armën “AK 47”, nga dora dhe ta vejë në kontroll të pandehurin, në të cilën kishte fishekun në tytë, dhe 28 fishekë të tjerë në karikator, ndërsa polici ka vërejtur se ka qenë i plagosur nga të shtënat e Mufail Rafunës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë i aktakuzës thotë se nga data e pacaktuar deri më 5 shtator 2019, pa autorizim ka poseduar armën e tipit “AK47”, me 29 fishekë, me të cilin ka kryer veprën penale si në pikën e parë të akuzës, e pas bastisjes në banesë të tij, janë gjetur dhe sekuestruar 80 fishekë automatikut dhe 64 fishekë të pistoletës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme