Rasti “Toka”, dëshmitari thotë se ka një kontratë sipas së cilës pronën e familjes së tij e kishte shitur Azem Syla

Prishtinë | 17 Nën 2022 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari Vladimir Nikoviq, në seancën e së enjtes në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se është një kontratë sipas së cilës pronën e familjes së tij, e kishte shitur i akuzuari Azem Syla.

Këtë deklarim, dëshmitari Nikoviq e dha në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”.

Dëshmitari Nikoviq ka thënë se Habib Caka kishte filluar punimet në tokën e tij, e më pas i njëjti kishte prezantuar një kontratë të vërtetuar nga gjykata, ku shitës i tokës kishte qenë i akuzuari Azem Syla,

“Nuk e ka blerë nga ne, ai na ka prezantuar njëfarë kontrate që e ka ble nga dikush, më duket Azem Syla dhe e ka pas një kontratë të vërtetuar në gjykatë dhe më ka thënë që këtë e ka paguar 370 mijë euro me sa më kujtohet”, ka thënë dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Besnik Berisha, se a është i sigurt se Caka i ka thënë se pronën e ka blerë nga Azem Syla dhe jo dikush tjetër, dëshmitari Nikoviq tha se është i sigurt për përgjigjen e tij.

Tutje, i pyetur nga avokati Berisha se a beson që Habib Caka i ka thënë të vërtetën për këtë rast, dëshmitari tha se nuk e di, por gjykatës i ka thënë fjalët të cilat ai i ka deklaruar.

Ndryshe, në cilësi të dëshmitarëve në seancën e sotme janë deklaruar edhe Mexhid Syla, Gordane Steviq dhe Enver Qoqaj.

Dëshmitarët Syla dhe Steviq thanë se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të mëparshme, dhe se nuk kanë asgjë çfarë të shtojnë lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, dëshmitari Qoqaj ka deklaruar se përmes të akuzuarit Shaban Syla, ka blerë tokë nga Ilaz Syla, i cili po ashtu akuzohet për këtë çështje.

“18 ari i kam ble, i kam ble nga Ilaz Syla, më duket se 61 mijë euro e kam ble”, ka thënë Qoqaj.

Kurse, i pyetur nga prokurori Naim Abazi, se si ka kontaktuar me Ilazin, dëshmitari Qoqaj tha se të gjitha bisedat i ka bërë më të akuzuarin Shaban Syla.

Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin Fahredin Gashi, pasi që në seancën e kaluar ishte caktuar të përpilohet një ekspertizë psikiatrike për të njëjtin dhe eksperti ka konstatuar se i ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Seancat e radhës për ketë çështje u caktuan të mbahen më 18 dhe 20 janar 2023.

Ndryshe, në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Të ngjashme