Rasti “Veteranët” kthehet në rigjykim

Prishtinë | 26 Pri 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin e keqpërdorimeve me listat e veteranëve të UÇK-së.

Sipas njoftimit të publikuar të martën, Apeli e rrëzoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që i kishte liruar të akuzuarit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari, nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore ne Prishtinë, Departamenti për Krime te Renda, i datës 16.04.2021, dhe lënda kthehet në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në njoftim.

“Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës, pretendohet se gjykata e shkallës së parë ka bërë gabimisht vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike, përkundër faktit se janë ofruar dhe administruar prova të mjaftueshme, të cilat po të vërtetoheshin saktë dhe drejtë do të provohej se në veprimet e të akuzuarve manifestohen elementet e veprës penale”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Të ngjashme