Reagon Agim Bahtiri: Personi që shkaktoi incidentin në tubimin e VV-së është mbetje e PDK-së

Prishtinë | 30 Jan 2021 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka hedhur fajin tek Partia Demokratike e Kosovës për incidentin e ndodhur sot në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e tij.

Bahtiri, me anë të ‘Facebook’-ut, thotë se, siç e quan ai, mbështetja mbarëpopullore i pengoi atyre që nuk donin ta shihnin atë në pushtet.

“E kuptueshme, se kjo mbështetje mbarë popullore nuk iu ka pëlqyer atyre që e terrorizuan qytetin deri në ardhjen time si kryetar komune, me ç’rast disa mbetje të tyre përmes një individi tentuan t’ia humbin madhështinë tubimit, por që këtë nuk e arritën e as nuk do ta arritin asnjëherë në Mitrovicë sa të jem unë kryetar komune”, ka deklaruar Bahtiri në ‘Facebook’.

Ky reagim i tij vjen pas ndalimit të vazhdimit të fushatës në Mitrovicë Veriore të kreut të partisë së Bahtirit, Albin Kurtit. Madje, kreu i Komunës së Mitrovicës pati disa fjalë për këtë.

“Natyrisht që strukturave kriminale serbe atje, nuk iu shkoj për shtati kjo vizitë, por që përveç disa brohorimave nga distanca nuk arritën të bëjnë diçka më shumë”, vlerësoi ai.

Bahtiri shquhet me polemikat që ka pasur me këtë parti. I pari i Komunës së Mitrovicës pati thënë se “më përpara shkon në tabut sesa me PDK-në”.

Të ngjashme