Reagon ambasada amerikane pas tërheqjes së barrikadave dhe policisë speciale nga veriu

Prishtinë | 02 Tet 2021 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

I ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobbe, e ka mbështetur largimin e Njësisë Speciale dhe heqjen e barrikadave në veri të vendit. Ai tha se me këtë veprim Kosova dhe Serbia janë duke e zbatuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për kufi.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se trupat e KFOR-it do të qëndrojnë për dy javë në kufi, teksa u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë dialogun.

“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia pas implementimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja në kufi. Prezenca e përkohshme e KFOR-it, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara në këtë momentum dhe të rikthehet seriozisht dialogu”, thuhet në reagim.

Para dy ditësh emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociatash, është arritur marrëveshja që e de-eskalon situatën në veri të Kosovës.

“E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.

Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak bashkë me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duke filluar nga e shtuna.

Të ngjashme