Reagon edhe PDK në Skenderaj: Bekim Jashari para se të etiketojë Lushtakun të ofrojë siguri në sallë

Prishtinë | 29 Sht 2018 | 09:15 | Nga

Pas ngjarjeve të fundit në Kuvendin Komunal të Skenderajt ka reaguar edhe dega e PDK-së në këtë komunë.

PDK thotë se e “dënon dhunën e ushtruar nga zyrtarët e Komunës së Skenderajt ndaj asambleistit të zgjedhur”.

PDK kërkon nga Kryetari i Komunës Bekim Jashari tu garantojë siguri të zgjedhurve në punën e tyre brenda institucionit dhe “të ndalojë vartësit e tij në shpërfaqjen e muskujve ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Skenderajt”.

Komunikatë e PDK-së dega në Skenderaj

Partia Demokratike e Kosovës dega në Skenderaj dënon dhunën që është shfaqur sot gjatë zhvillimit të punimeve në seancën e Kuvendit komunal të Skenderajt, të ushtruar nga zyrtarët e Komunës së Skenderajt ndaj njërit nga asambleistët e zgjedhur. Veprimet e tilla janë totalisht të papranueshme dhe përbëjnë akte të turpshme dhe skandaloze mbi të zgjedhurit në mënyrë demokratike.

E drejta e shprehjes së mendimit të lirë ka qenë vlerë e përhershme në institucionet e Skenderajt deri më tani, e cila duhet të promovohet dhe t’i garantohet secilit asambleistë të zgjedhur pavarësisht bindjeve politike. Prandaj kërkojmë nga Kryetari i Komunës Bekim Jashari që para se të etiketojë përfaqësuesit e subjekteve politike për gjoja bllokim të punës së tij, të garantojë siguri të zgjedhurve në punën e tyre brenda institucioni dhe të ndalojë vartësit e tij në shpërfaqjen e muskujve ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Skenderajt.

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku asnjëherë dhe ndaj askujt nuk ka përdorur “dorën e zgjatur”, përkundrazi ai ia ka zgjatur dorën çdo kujt dhe çdo herë, kur i është kërkuar, përfshirë edhe kryetarit të tanishëm të Skenderajt Bekim Jashari.

 

Të ngjashme