Reagon Lladrovci: Asociacioni i komunave devijoi nga rekomandimet e veta, ndalimqarkullimi të jetë unik

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 20:05 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e mbajtur dje në Komunën e Drenasit, kryetarët e komunave dolën unik në kërkesën e tyre që ndalimqarkullimi të jetë i njëjtë për të gjitha komunat, e jo vetëm për ato në karantinë.

Ani pse kjo kërkesë për një orar unik u mbështetë nga të gjithë kryetarët, Asociacioni i Komunave të Kosovës sot devijoi nga ky rekomandim i përbashkët i mbledhjes së djeshme.

Edhe pse në titullin e komunikatës së lëshuar nga AKK që pati takim me Ministrin e Shëndetësisë, ishte se “Ministria e Shëndetësisë respekton propozimin e AKK-së për lëvizje të lirë të njëjtë për të gjitha komunat”, në brendinë e komunikatës bëhet e ditur se Malisheva e Mitrovica e Veriut mbesin me orare ndryshe prej komunave tjera.

Për këtë Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se dallimi për ndalimin e kufizimit shton rrezikun e përhapjes së virusit në komunat që nuk kanë të infektuar.

Sipas tij, asociacioni i komunave devijoi nga rekomandimet e veta, duke mos respektuar interesin e të gjitha komunave.

Me poshtë reagimi i tij:

Asociacioni i komunave devijoi nga rekomandimet e veta

Duhet të ruhet tërësia, jo njësitë veç e veç!
Vendimmarrja e nivelit qendror është për t’u zbatuar nga ne, pavarësisht kush e merr, rekomandimi ishte të jetë unike.

Dallimi për ndalimin e kufizimit, shton rrezikun e përhapjes së virusit në komunat që nuk kanë të infektuar.

Për menaxhimin sa më efektiv të situatës së rrezikut nga COVID-19, dje, kryetarët e Komunave të Kosovës pa dallim partie, me qëllim të mobilizimit e të gjithëve për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, u dakorduam për disa rekomandime.

Ato rekomandime, në takim me Ministrin Vitia, nuk u respektuan.

Asociacioni i komunave, duhet të respektoj interesin e të gjitha komunave, njësoj.

Dallimi me orën e ndalimit të kufizimit, rrezikon komunat e afërta me orarin e komunës me ndalimin e ndryshëm, duke qenë cak i realizimit të nevojave të qytetarëve.

Pra, vendimi për orar unik ishte i drejtë, sepse, duhet të ruhet tërësia, jo njësitë veç e veç!

Të ngjashme