Reagon OVL e UÇK-së për keqpërdorimin e statusit të veteranit, kërkon nga kryeministri të parandalojë lëshimin e certifikatave

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e vazhdueshëm të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së.

Në reagimin e OVL UÇK-së thuhet se që nga koha e marrjes së materialeve nga prokuroria, ka pasur dhe ka indikacione nga terreni se janë lëshuar dhe po lëshohen edhe më tutje certifikata të reja të statusit të veteranit.

“Si OVL UÇK, i ftojmë të gjithë që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, dukuri e cila në kohën e fundit është duke u shpeshtuar, sepse kjo është e pakuptimtë në kohën kur jemi në procesin e hetimeve nga prokuroria”, thuhet në reagim.

Po ashtu përmes këtij reagimi kjo organizatë ka kërkuar nga kryeministri që ta parandalojë këtë dukuri.

“Nga Zyra për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kërkojmë që ta parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave, të cilat edhe ashtu e kanë kompromituar procesit dhe vet statusin e veteranit”, thekson OVL UÇK.

Kujtojmë se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para disa muajsh pati nisur një iniciativë për krijimin e komisionit hetimor për veteranët.

Sipas tij, kjo iniciativë është bërë me qëllim të ndaljes së manipulueseve që po abuzojnë me UÇK-në, si dhe për t’ia kthyer dinjitetin veteranëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme