Reagon Sindikata e Infermierëve, thonë se kërkesat e tyre nuk u përfillën nga Qeveria

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 10:39 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka reaguar për mos përmbushjen e kërkesave të tyre nga Qeveria në detyrë.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se edhe pse e kanë zhvilluar një takim para dy jave me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, i njëjti iu kishte premtuar edhe një takim këto ditë, të cilin sipas tyre ende nuk e ka realizuar.

“Gjatë vitit 2020 Sindikata e infermierëve të Kosovës organizoi 3 protesta per shkak të kushteve të rënda në të cilat ndodhen infermierët. I zhvilloi 3 takime me ministrin e shëndetësisë dhe 1 takim me kryeministrin para rreth dy javësh. Ne ende jemi në pritje të një takimit që na premtoi kryeministri në detyrë para disa ditësh”, thonë nga Sindikata.

Siç thuhet në njoftimin e tyre, Sindikata e Infermierëve ka bërë disa kërkesa për kushtet e tyre të punës, të cilat ende nuk janë realizuar.

“Kishim shumë kërkesa, si ngritjen e pagës përmes ligjit të pagave, punësimin e 2 mijë infermierëve, pagesën e rrezikshmërisë, pagesën e orëve shtesë, pagesën e punës gjatë vikendeve, ligjin për infermierinë, ambient të sigurt për punë, por për shkak të situatës së rëndë me pandeminë, ne zgjodhëm që gjatë vitit 2020 të jetë vetëm ngritja e pagesave të ndërrimeve të natës nga 18 euro sa janë tani, në 36 euro për 12 orë pune gjatë natës, që buxhetit të shtetit do t’i kushtonte vetëm 2.5 milionë euro për një vit, për të gjithë infermierët e Kosovës dhe punësimi i infermierëve të rinj. As kjo kërkesë minimale e jona nuk u përfill. Reaguam edhe për shtesat për punë gjatë pandemisë, që për ne ishin fyese, vetëm 150 euro, por kur tatimohen mbesin diku rreth 120 euro”, thuhet në ndër të tjera në reagimin e tyre në Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme