Fabrika e ujit në Shkabaj përfundon në dhjetor 2016

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 16:58 | Nga

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka siguruar qytetarët se ndërtimi i fabrikës së përpunimit të ujit në Shkabaj, është duke shkuar sipas planit dinamik të punimeve.

Kjo kompani, nëpërmjet një njoftimi për media ka sqaruar se fabrika e ujit në “Shkabaj” do të përfundojë në dhjetor 2016, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, komisionimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim mbetet si një dypërqindësh i punëve totale, për pjesën e parë të vitit 2017.

Komunikata e plotë:

KUR “Prishtina” sh.a. njofton opinionin e gjerë publik, duke i demantuar të gjithë zërat tendencioz të ditës së sotme se kinse Fabrika e përpunimit të ujit në “Shkabaj ” mund të dështojë për shkaqe financiare, i siguron të gjithë qytetarët, se me këtë fabrikë gjithçka po shkon sipas planit dinamik.

Fabrika e ujit në “Shkabaj” do të përfundojë në dhjetor 2016, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, komisionimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim mbetet si një dy përqindësh i punëve totale, për pjesën e parë të vitit 2017.

KUR” Prishtina ” sh.a. demanton raportimin e dalë nga Radio Kosova se “Fabrika mund të dështojë për shkaqe financiare” sepse aty asgjë nuk ka të vërtetë, duke u bazuar në faktin se mjetet financiare për fabrikën e ujit në “Shkabaj” nga Qeveria e Republikës së Kosovës janë alokuar dhe transferuar në llogarinë e veçantë të këtij projekti në llogari të KUR ” Prishtina ” sh.a., e poashtu edhe Komuna e Prishtinës ka alokuar dhe transferuar 1.5 milion euro deri më tash dhe jemi në bisedime e sipër që edhe pjesës tjetër do t’i përgjigjen pozitivisht, në mënyrë që ky projekt i shumëpritur nga ana e qytetarëve të përmbyllet me sukses.

Ua kujtojmë sërish se, Faza e III-të e investimeve përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milion euro. Ky projekt do i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera.

Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milion euro, Komisioni Evropian me 5 milion euro, Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milion euro dhe 20 milion KUR”Prishtina” sh.a. i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Republikës së Kosovës.

Projekti përmban këto komponentë: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Punimet në këtë fabrikë janë duke u zhvilluar me një dinamikë të madhe.

Projekti ”Shkabaj” është një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm që nga themelimi i KUR “Prishtina” sh.a., dhe se është një projekt vendimtar jo vetëm për kryeqytetin por për gjithë vendin. Me realizimin e këtij investimi, që është planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit 2016, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Podujevën dhe komunat tjera nën menaxhimin e KUR “Prishtina” sh.a., do të ketë përmirësime të dukshme në largimin e ujërave të zeza dhe do të investohet në mbrojtjen efektive të burimeve nga ndotjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme