Reçica: Pensionistët është dashur të përfshiheshin në 10-përqindëshin e Trustit

Prishtinë | 15 Dhj 2020 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emisionin Desku në KTV thotë se ka marrë ankesa të shumta nga pensionistët për mospërfshirjen e tyre në 10-përqindëshin e Trustit.

Ai thotë se pensionistët do të duhej të përfshiheshin në këtë kategori.

“Jemi duke e zbatuar këtë ligj dhe rrugës po shohim edhe mangësitë edhe përparësitë e tij dhe kemi me i parë edhe në ditët në vijim. Ky ligj mendoj se është një mekanizëm i mirë të cilin e kemi në dispozicion, krijon mundësi që të kemi fond shtesë në dispozicion që do të na shërbejë për t’i mbështetur bizneset, respektivisht ata që humbën vendin e punës”, ka thënë Reçica. “Kishte qenë mirë që të drejtë të kenë të tërheqjes së dhjetë përqindëshit edhe pensionistët të cilët ende nuk e kanë konsumuar komplet fondin nga Trusti”.

Ai thotë se mospërfshirja e pensionistëve është lëshim.

“Unë kam marrë numër të madh ankesash nga pensionistët të cilët më kanë adresuar pse nuk janë përfshirë edhe pensionistët. Ka pas kërkesa, dhe realisht ndoshta është dashtë që të përfshihet në këtë dhjetë përqindësh dhe kjo kategori. Është lëshim që nuk janë përfshirë edhe pensionistët në këtë të drejtë”, ka thënë Reçica.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme