Reçica: Po ndihmojmë familjarët e të pagjeturve me pensione, kjo nuk shlyen plagët e tyre

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 11:50 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se ministria që ai drejton po ndihmon familjarët e të pagjeturëve me pensione dhe beneficione që sipas tij kjo nuk shlyen dhimbjen e tyre, por është një ndihmesë ekonomike, raporton Ekonomia Online.

Ministri Reçica ka thënë se Projektligji për Personat e Pagjetur duhet të procedohet në Kuvend.

“Nga baza e të dhënave kanë aplikuar një numër i madh i personave të pagjetur për të marrë të drejtën në beneficione dhe pensione dhe këtë e gëzojnë dhe me ligjin aktual për skema pensionale personi që është përfitues i çdo pensioni apo benificioni çfarëdo qoftë nuk mund të jetë përfitim i ndonjë pensioni apo beneficioni tjetër”.

“Ndihma financiare nuk shlyen plagët e familjarëve të personave të pagjetur, nuk shlyen plagët e viktimave të dhunës seksuale, por duhet të kenë një mbështetje financiare për një zhvillim më të mirë ekonomik, një jetë më të mirë. MPMS dhe unë si ministër do të jemi në shërbim që sot pas rezolutës që do të delë, dhe Projektligji për Personat e Pagjetur duhet të procedohet në Kuvend”, ka thënë Reçica.

Reçica tutje ka shtuar se personat e pagjetur mbeten barra dhe kujtesa e përgjithshme. Ai është shprehur se 19 vjet pas luftës ende kanë mbetur 1600 persona për fatin e të cilëve ende nuk dihet.

“Personat e pagjetur mbeten barra dhe kujtesa e përgjithshme, kjo barrë po vazhdon sepse kemi burra, gra, fëmijë që nuk dihet fati i tyre, kemi plagë të hapura. 19 vjet pas luftës ende kanë mbetur 1600 persona për fatin e të cilëve ende nuk dihet”.

“Ngjarjet që ndodhën në Kosovë peshojnë rëndë mbi supet e njerzëve. MPMS ka mbështeur familjarët e personave të pagjetur. MPMS është e përfaqësuar me një anëtar në komisionin për persona të pagjetur. Në kuadër të MPMS kemi 7 zyra që janë të shtrira në regjione”.

Fjalimi i plotë:

Personat e pagjetur, si pasojë e luftës në Kosovë, janë dhe mbeten barra dhe kujtesa jonë e përgjithshme. Kjo barrë ende po vazhdon sepse ende kemi fëmijë, gra e burra, për fatin e të cilëve ende nuk dihet, pra plagët janë ende të hapura.

Lufta e la Kosovën me mbi 6.000 (6.044) persona të zhdukur. Deri më tani, më shumë se 4.000 persona janë identifikuar. Edhe pse 19 vite pas luftës, ende kanë mbetur rreth 1.600 (1.665) persona për fatin e të cilëve ende nuk dihet dhe familjarët e tyre me të drejtë duan të dinë se ku i kanë më të dashurit e tyre. Ngjarjet të cilat kanë ndodhur në Kosovë peshojnë rëndë mbi supet e njerëzve të cilët kujtojnë dhembjet dhe nuk harrojnë padrejtësitë që i janë bërë këtij populli dhe kjo është e natyrshme dhe njerëzore.

Të nderuar deputetë, të nderuar familjarë të personave të pagjetur, edhe pse ndihma dhe mbështetja nuk mjafton për të shlyer dhembjet e familjarëve, megjithatë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të paktën në mënyrë financiare ka mbështetur dhe mbështet edhe më tej familjarët e personave të pagjetur ose të zhdukurve. MPMS është e përfaqësuar me një anëtar në Komisionin Qeveritar për Persona të pagjetur dhe ky anëtar bashkëpunon ngushtë me Komisionin duke dhënë informacion në fushën dhe ndërlidhjen e kësaj çështje me fushëveprimtarinë e MPMS-së. Në kuadër të MPMS-së, ne kemi shtatë zyra regjionale të cilat janë të shtrira në regjione dhe këto zyra zbatojnë Ligjin Nr.04/L-023, për personat e zhdukur, në aspektin procedural dhe administrativ.

Në këtë rast dua të potencoj se familjarët e personave të zhdukur (të pagjetur) gëzojnë të drejta dhe beneficione sipas Nenit 13, të Ligjit Nr.04/L-023 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, përmes beneficioneve të veçanta.

Nga baza e të dhënave që kemi në MPMS, kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm i familjeve të personave të pagjetur, për të fituar të drejtën në pensione dhe beneficione dhe tashmë këtë të drejt e gëzojnë.

Sa i përket çështjes së përfitimit në pensione dhe beneficione, të nderuar, ju njoftoj se me ligjin aktual Nr.04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, personi i cili është përfitues i cilitdo pension të përcaktuar me ligj, nuk mund të jetë përfitues i ndonjë kompensimi tjetër qoftë të kategorive të dala nga lufta, qoftë edhe nga përfitimi i beneficionit për personat e pagjetur. Ne si MPMS, tashmë kemi dërguar në Qeveri Projektligjin për plotësim ndryshimin e ligjit nr.04\L-131 dhe kemi propozuar që përfituesit e pensionit kontributpagues të moshës dhe pensionit bazik të moshës, te kenë të drejtë edhe në përftimin te pensionit familjar të cilin e realizojnë familja e ngushtë e dëshmorit, familja e ngushtë e të zhdukurit të UÇK-së, familja e ngushtë e viktimës civile të luftës, viktima të dhunës seksuale të luftës dhe familja e ngushtë e të zhdukurit civil, të përcaktuar sipas Ligjit në fuqi për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre dhe ligjit të amandamentuar.

Me këtë rast dua të theksoj se së paku në aspektin financiar, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të paktën të mos u hyjmë në hak këtyre familjarëve dhe mos të privojmë gjithashtu nga e drejta, përfituesit të cilët kanë derdhur djersë me kontributin e tyre.

Të nderuar të pranishëm, e di që ndihma financiare nuk shlyen plagët e familjarëve të personave të pagjetur, nuk shlyen plagët e viktimave të dhunës seksuale dhe nuk shlyen plagët për heronjtë dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, por ne e kemi obligim që të punojmë fort, që ky vend të zhvillohet ekonomikisht, të ketë arsim me cilësor, shëndetësi dhe mbi të gjitha punë dhe mirëqenie sociale për të cilën jemi duke u angazhuar shumë.

Të ngjashme