Reçica u premton kategorive të dala nga lufta zyrë për kryerjen e shërbimeve në secilën komunë

Malishevë | 14 Jan 2021 | 09:55 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ia ka dorëzuar vendimin për kthimin e shërbimeve për kategoritë e dala nga lufta nga rajoni i Gjakovës në atë të Prizrenit, nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, raporton Ekonomia Online.

Reçica tha se qëllim kanë ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët, duke shtuar se vendi ka nevojë për politika të mirëfillta sociale.

Madje, ai u ka premtuar kësaj kategorie zyrë për kryerjen e shërbimeve në secilën komunë.

“Uroj që ky vit kështu si e kemi filluar të na ecë mbarë të gjithëve, ndërsa ofrimi sa i më i lehtë i shërbimeve për qytetarët, ka qenë gjithmonë angazhim i imi, madje shumë shpejtë, sipas planit të ministrisë, këto shërbime do të ofrohen në komuna”.

“Vendi ynë ka nevojë për politika të mirëfillta sociale dhe i tërë angazhim im dhe i ministrisë është në avancimin e këtyre politikave”, ka thënë Reçica.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, iu ka bërë thirrje edhe ministrive tjera, që t’i përshpejtojnë procedurat për kthimin e të gjitha shërbimeve tjera në regjionin e Prizrenit.

“Në emër të Kryetarit të Komunës, Ragip Begaj dhe emër të komunës së Malishevës, e ka falënderuar ministrin Reçica, për këtë vendim domethënës i cili ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për kategoritë e dala nga lufta, për ofrimin e shërbimeve më të lehta dhe aty Malisheva e ka vendin e saj, pasi tradicionalisht, në çdo aspekt është e lidhur me Prizrenin”.

Metush Kryeziu, përfaqësues i kategorive të dala nga lufta, e ka falënderuar ministrin Reçica.

“Përveç këtyre shërbimeve, urojmë që edhe ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës të miratohet dhe të mbrohen vlerat e luftës dhe të rregullohen të gjitha çështjet tjera që lidhen me këtë kategori, e të mos ndihemi të anashkaluar”.

Të ngjashme