Regjistrimi i popullsisë më 2021 projekt madhor për vendin

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me mbështetjen e UNOPS-it ka organizuar sot një Konferencë me donatorë për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2021.

Fjalën hyrëse në këtë Konferencë e mbajti Zëvendëskryeminitri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ndër të tjera tha se “Qeveria e Kosovës e konsideron Sistemin Statistikor të Kosovës si një nga sistemet më të rëndësishme të vendit. Në kuadër të këtij sistemi, zhvillimi dhe fuqizimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës konsiderohet si një nga prioritetet e larta në kuadër të avancimeve dhe reformave institucionale”.

Hoxhaj vlerësoi shumë mbështetjen e donatorëve ndaj ASK-së, që në vazhdimësi e kanë ndihmuar ASK-n në rritjen e kapaciteteve, prodhimit të statistikave zyrtare dhe në rritjen e cilësisë së prodhimeve statistikore.

Në fund, ai dha premtime se Qeveria e Kosovës do ta mbeshtesë ASK-n në rritjen e prodhimit statistikor, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore, ashtu siç ka qenë mbështetëse në aspektin e zhvillimit të projekteve të mëdha për vendin. Prandaj, “Projekti e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës edhe në aspektin financiar dhe ftoj donatorët e kësaj Konference, që ta mbështesin Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2021”, tha ai.

Tutje, fjalën e mori Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, i cili dha sqarime të hollësishme për përgatitjet e Regjistrimit të Popullsisë 2021 në Kosovë, si dhe rëndësinë dhe shfrytëzimin e këtyre të dhënave, si në aspektin e krahasueshmërisë statistikore, saktësisë, relevancës dhe prodhimit në kohë, që i ofrojnë Qeverisë së Kosovës nga njëra anë dhe BE-së, FMN-së, Bankës Botërore etj., nga ana tjetër, një sfond më të mirë për negociata dhe vendimmarrje, që bazohen shumë në Regjistrimin e Popullsisë, si një instrument kyç i një vendi kandidat, që mbështet dhe shoqëron procesin historik të Kosovës në integrimet në BE.

  1. Krasniqi tha se “Regjistrimi i Popullsisë 2021 do të jetë në harmoni të plotë me rekomandimet ndërkombëtare dhe në përputhje me Acquis Communautaire (kapitulli 18), që përfshin metodologjinë, klasifikimet dhe procedurat për grumbullimin e të dhënave në fusha të ndryshme, ndër të tjera statistikat demografike dhe sociale”.
  2. Krasniqi potencoi rëndësinë e të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë për MICS-in, Dividentës demografike, projeksionet e popullsisë, planifikimeve demografike dhe në fushën e arsimit; shfrytëzimin e këtyre të dhënave për treguesit makroekonomikë (GDP/BPV, tregu i punës dhe shëndetësi); të dhënat e regjistrimit në aspektin e sigurisë, territorit, ambientit dhe migracionit, etj.; të dhënat e regjistrimit dhe treguesit e SDG-së 2030; të dhënat dhe zhvillimi ekonomik, sidomos ai i investimeve të huaja.

Ndërkaq, një prezantim të detajuar mbi planifikimet e aktiviteteve për realizimin e Regjistrimit të Popullsisë 2021 dhe planin buxhetor të shpërndarë në pesë vitet e ardhshme, e prezantoi drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, z. Avni Kastrati.

Më pas, Konferenca u hap për diskutim për donatorët, ku përfaqësuesi i Zyres së BE-së në Kosovë, z. Samir Selimi dha mbështetjen për këtë regjistrim për 1.2 milionë Euro, kryesisht në monitorimin e realizimit të projekti dhe në cilësinë e grumbullimit të të dhënave. Pastaj, pati diskutime dhe nga ana e Ambasadës së Suedisë, UNFPA-së, UNICEF-it etj.

Në këtë Konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve vendore dhe ambasadave e organizatave ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme