Regjistrimi i ujëmatësve, faji mbetet te vonesa e pagesave të konsumatorëve

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 12:14 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e Auditimit për ndërmarrjen KRU “Prishtina”, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Vetëvendosje, Valon Ramandani, tha se në raportin e Auditorit thuhet se në ndërmarrjen KRU “Prishtina”, ka vonesa në regjistrimin e ujëmatësve të konsumatorëve individual.

“Keq deklarimet financiare që janë të paraqitura në pasqyrat financiare janë shkak i modifikimit për planin financiar për vitin 2018-të. Ka vonesa në regjistrimin e ujëmatësve të konsumatorëve individual. Prokurimi i mallrave shkelje tjetër, kush është operatori, pse janë shkelë rregullat e prokurimit”, tha ai.

Kryesuesi i Bordit të KRU “Prishtina”, Betim Berisha, tha se ata do të hartojnë një plan që në vitin e ardhshëm të kenë një raport më të mirë.

“Ne do hartojnë një plan që vitin e ardhshëm të kemi një raport më të mirë”, tha ai.

E kryeshefi aktual i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se konsumatorët kanë pasur vonesa në pagesat e ujëmatësve.

Një sfidë tjetër sipas Abdullahut mbeten edhe ndërtimet e mëdha të cilat po ia vështirësojnë punën kësaj kompanie.

“Brenda 20 ditëve ne do kemi një vlerësim të aseteve dhe vlerësim total të vlerës se pasurisë. Tek faturimi dhe konsumatorët që janë të regjistruar me vonesë, ne ju kemi përmbajt ligjit ku ata kërkojnë që paraprakisht të regjistrohen konsumatorët, duhet që çdo objekt kolektiv ta ketë nga një ujëmatës. I vetmi gabim që ndikon gabimisht është që këta ujëmatës dikush i ka paguar pas 5 muajve dhe dikush pas 1 viti. Ndërtimet e mëdha herë pas herë po na e vështirësojnë edhe punën”, tha Abdullahu.

“Shpenzime sporti dhe kultura 7462 euro, çfarë shpenzime janë këto”, pyeti deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Ndoshta është edhe ndonjë ndihmë që i jepet klubeve të sportit”, tha Ilir Abdullahu.

Por, përgjigje në lidhje me këtë çështje dha zyrtari financiar Sokol Duraku.

“Shpenzime të sportit dhe kulturës janë aktivitete që ndërlidhen me kulturën që kanë pasë qëllim kampanjat për vetëdijesimin e konsumatorëve përmes kulturës dhe sportit”, tha zyrtari financiar Sokol Duraku.

Deputeti Selmanaj vazhdoi me pyetje.

“Ka një rritje të shpenzimeve zyrtare dhe mëditjeve për 86 për qind, thuhet se këto janë bërë në kundërshtim me rregulloren”, pyeti Driton Selmanaj, raporton EO.

“Kompania është e angazhuar në trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare, këto trajnime janë bërë edhe në fushat teknike. Ne kemi një rregullore për mëditje dhe besoj që karshi asaj rregullore nuk duhet të dilet”, tha Ilir Abdullahu.

Lexo më shumë:

Të ngjashme