Rekomandohen masat e reja, shkollat synohet të mbahen hapur

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 10:20 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë ditës së sotme, është mbajtur mbledhja e Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Siç ishte paralajmëruar, në këtë takim ishte planifikuar diskutimi i mundësisë për vendosjen e masave të reja pas rritjes enorme të rasteve me COVID-19.

Nga objekti i Qeverisë të enjten në mëngjes pas mbledhjes janë parë duke dalë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ai i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ky i fundit në një adresim për medie pas takimit ka thënë se masat do të rishikohen dhe se shkollat në vend synohet që të mbesin të hapura.

Ai s’ka dhënë detaje nëse gjithçka do të mbyllet në orën 22:00, siç ishte raportuar. Latifi ka thënë se në takim është diskutuar veçanërisht për masat anti-COVID dhe për përhapjen e virusit, por që sipas tij, Kosova qëndron më mirë sesa vendet e rajonit. Ai ka apeluar për vaksinim derisa ka thënë se rekomandimet pritet t’i dërgohen Qeverisë sot në mbrëmje apo nesër në mëngjes.

“U morëm vesh edhe më parë dhe natyrisht se do të ketë  ndryshim të masave. Këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet e përhapjen e Coronavirusin, dhe do të jenë në balancim me nevojat e zhvillimit të fëmijëve nëpër shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur e të ekonomisë hapur. Megjithatë po shfrytëzoj rastin edhe një herë që secili prej neve duhet të vaksinohet, madje edhe fëmijët duhet të vaksinohen. E ata që e kanë marrë dozën e parë duhet ta marrin të dytën e kështu më radhë. Ne kemi vaksina mjaftë e as nuk u ka skaduar afati, pra të gjitha i kemi në rregull, prandaj e rëndësishme është që të gjithë ne të vaksinohemi”, ka thënë Latifi.

Ai nuk ka dhënë detaje duke thënë se kanë diskutuar të mbyllen lokalet në orën 22.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shteti ka interesim që t’i mbajë shkollat hapur, pavarësisht rritjes së rasteve pozitive te fëmijët. Ajo ka bërë të ditur se sot gjatë ditës do të mblidhet task-forca e kësaj ministrie për të diskutuar për situatën e krijuar dhe nesër prapë do të ketë takim.

Vetëm të mërkurën u regjistruan 2050 raste të reja pozitive, duke e vazhduar trendin ngritës. Aktualisht janë mbi 7200 raste aktive me COVID-19.

Të ngjashme