Reçica: Kuvajti premton investime në Kosovë në fushën e mirëqenies sociale

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 18:43 | Nga

Në kuadër të vizitës zyrtare në shtetin e Kuvajtit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, është takuar me disa organizata që veprojnë të mbështetura dhe nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kuvajtit, të cilat zhvillojnë aktivitete dhe projekte në fushën e mirëqenies sociale, edukimit dhe aftësimit profesional.

Në këtë takim të organizuar nga Ministria për Çështje Sociale dhe e Punës e Kuvajtit, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në projekte konkrete mes këtyre organizatave dhe MPMS-së, në fushat që mbulon MPMS.

Nga përfaqësuesit e organizatave, ministri u informua rreth aktiviteteve dhe projekteve që ato po zhvillojnë në vende të ndryshme.

Ministri Reçica i informoi rreth nevojave kryesore që ka Kosova sa i përket përmirësimit të mirëqenies sociale të qytetarëve, siç është ajo për ndërtimin e një qendre për banim social, një qendre për persona të moshuar, gjithashtu një qendër strehimi për fëmijë pa përkujdesje.

Reçica tha se Qeveria e Kosovës, përbrenda mundësive buxhetore që ka, po bën përpjekje maksimale për sigurim të mirëqenies për këto kategori, mirëpo ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje nga miqtë dhe partnerët e saj.

Ministri i MPMS-së mori mbështetje të plotë nga Qeveria e Kuvajtit dhe përfaqësuesit e organizatave prezente në këtë takim, për inicim të projekteve në çështjet për të cilat ministri i parashtroi.

Nga ana e tij, ministri ofroi gatishmërinë e plotë për koordinim të veprimeve, në kuadër të bashkëpunimit në mes të MPMS-së dhe Ministrisë për Çështje Sociale dhe të Punës së Kuvajtit, respektivisht të institucioneve kompetente në kuadër të qeverive të të dyja shteteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme