Reshitaj falënderon SHBA-në për përkrahje në menaxhimin e cilësisë së ajrit

Prishtinë | 09 Mar 2018 | 15:11 | Nga

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka marrë pjesë në Punëtorinë për projektet e Programit të Sfidave të Mijëvjeçarit ku ka prezantuar punën dhe planet e MMPH-së.

Ministrja ka thënë se MMPH-ja është duke u angazhuar në nxitjen e zhvillimit koherent të politikës për mbrojtjen e mjedisit, në drejtim të arritjes së objektivave për mbrojtje të mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Kemi shumë sfida para vetës, mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i cilësisë së ajrit, menaxhimi i duhur i mbeturinave, mbrojtja dhe kujdesi ndaj burimeve ujore e lumenjve kërkon angazhim dhe investime kapitale në përmirësim të gjendjes”, është shprehur ministrja Reshitaj.

Ministrja ka potencuar nevojën për mbështetje të projekteve të MMPH-së.

“Krahas gjithë angazhimeve është e pamundur që në afat të shkurtër dhe me një buxhet të vogël të zgjidhen të gjitha problemet mjedisore me të cilat po ballafaqohemi. Por duke i falënderuar mbështetjes së vendeve mike, MMPH do të ketë mundësi që në shumë fusha të ketë zhvillime më të shpejta për krijimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së mjedisit”, deklaroi ministrja Reshitaj.

Ajo ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat përmes Programit të Sfidave të Mijëvjeçarit do të mbështesin Republikën e Kosovës ku përveç fushave të tjera do të investoi edhe në fushën e mjedisit, me fokus në cilësinë e ajrit.

“Me këtë grant planifikohen investime në rehabilitimin e stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit, ndërtimit të komunikimit të të dhënave për cilësinë e ajrit të cilat do të përcjelljen automatikisht për treguesit që aktualisht maten dhe po ashtu do të angazhohen në përmirësimin e platformës së menaxhimit të të dhënave për cilësinë e ajrit dhe aftësinë e raportimit, duke siguruar që të dhënat të publikohen rregullisht në një format të lexueshëm. E gjithë kjo do të ndihmon po ashtu në ngritjen e kapaciteteve humane të MMPH-së.Ky projekt së bashku me projektin e mbështetur nga Qeveria Japoneze do të na ndihmojnë në krijimin e sistemit të qëndrueshëm për menaxhimin e cilësisë së ajrit. Kjo për neve është shumë e rëndësishme duke u nisur prej faktit që krahas angazhimeve tona ne ende po ballafaqohemi me ndotjen e ajrit” përfundoi ministrja Reshitaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme