Pritje shtetërore për ministren Reshitaj në shtetin që ende nuk e ka njohur Kosovën ​

Prishtinë | 27 Qer 2018 | 15:08 | Nga

Me ftesë të veçantë të Qeverisë së Vietnamit dhe të Fondit Global të Mjedisit (Global Environment Facility – GEF),  Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj po merr pjesë në Asamblenë e 6-të të GEF-it, që po mbahet këto ditë në Da Nang të Vietnamit.

Në margjina të Asamblesë së GEF-it, Ministrja Reshitaj është pritur në një takim nga Kryeministri i Vietnamit,  Nguyễn Xuân Phúc, i cili është edhe takimi i parë shtetëror i një d​elegacioni kosovar në shtetin e Veitnamit, qeveria e të cilit ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Në këtë takim, ministrja Reshitaj theksoi të arriturat e përgjithshme të Republikës së Kosovës e në veçanti në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor. Zonja Reshitaj falënderoi kryeministrin vietnamez për ftesen për pjesëmarrje në Asamblenë e 6-të të GEF-it dhe deklaroi se është nevojë e kohës bashkëpunimi i mëtutjeshëm ndërinstitucional i të dy shteteve.

Ajo ripërsëriti kërkesen e bërë nga Ministri i Punëve të Jashtme, z.Pacolli, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Qeveria e Vietnamit, pasi kjo do t’i kontribuonte stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe do të hapte rrugën e bashkëpunimit në mes dy shteteve në fushën ekonomike, politike e mjedisore.

Falë angazhimit të Ministres Reshitaj dhe lobimit të vazhdueshëm të Ministrit Pacolli, Kosova ka arritur që për herë të parë të marrë pjesë në Asamblenë e Fondit Global të Mjedisit.

Ky është hapi i parë institucional në drejtim të konsolidimit të pjesëmarrjes të Kosovës në këtë Fond, i cili do të pasohet edhe me hapa të tjerë që do të kontribuojnë në përfitimin e projekteve milionëshe nga fusha e mjedisit, të munguara deri më tani. Zonja Reshitaj do t’i drejtohet shteteve anëtare me një fjalim rasti, ku në emër të Republikës së Kosovës, do të prezantojë të arriturat dhe sfidat e Kosovës në fushën e mjedisit dhe jo vetëm.

Ministrja Reshitaj gjatë këtyre ditëve do të takojë edhe shumë përfaqësues të organizatave nderkombëtare në fushën e mjedisit, zyrtarë të lartë të qeverive duke përfshirë presidentë  dhe ministra të shteteve të ndryshme, në mesin e tyre edhe shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Vlen të theksohet se GEF është një prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare që adreson çështjet e mjedisit në botë, si dhe ndihmon nismat për zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit në vendet në zhvillim.

GEF ka një buxhet vjetor mbi 18 miliardë dollarë dhe deri me tani në formë të granteve ka investuar mbi 69 miliardë dollarë në 170 vende të botës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme