Reuters: Kërkesa e madhe e Kosovës për energji elektrike mund të rrezikojë furnizimin e Evropës

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Kërkesa e lartë për energji elektrike në Kosovë mund të rrezikojë furnizimin me energji elektrike në mbarë Evropën, paralajmëroi Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit, raporton Reuters.

Operatorët e sistemit të transmisionit në Grupin Rajonal për Evropën Kontinentale i kanë bërë thirrje Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) që të mbajë në ekuilibër sistemin e tij të energjisë elektrike, që është obligim i tyre kontraktual.

Vendet në të gjithë Evropën, thonë ata, po përballen me rritjen e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës mes rimëkëmbjes ekonomike të vendeve nga pandemia. Kjo është veçanërisht e theksuar në Kosovë, ku prodhimi i energjisë elektrike është zvogëluar për shkak të defekteve teknike në mesin e sezonit dimëror. E gjithë kjo, thonë ata, po e detyron Kosovën të importojë shumë më tepër energji se zakonisht.

Ata citojnë shembullin e sipërmarrësit Xhejal Gashi, i cili po mendon të mbyllë furrën e tij në Prishtinë për shkak se nuk arrin të mbulojë koston e karburantit për gjeneratorin.

“Për faturën e rrymës zakonisht paguaj rreth 300 euro, por tani shpenzoj 100-110 euro në ditë për të blerë karburant për njësinë”, tha Gashi, në furrën e të cilit janë të punësuar 10 punëtorë.

Shumë biznese dhe familje në Kosovë kanë blerë gjeneratorë portativë të energjisë elektrike që nga fillimi i kufizimeve të energjisë elektrike.

Reuters po ashtu thekson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rritjen drastike të çmimit të rrymës në Kosovë dhe po ashtu thonë se qytetarët e Kosovës paguajnë rrymën më të lirë në Evropë për shkak se tarifat për amvisëritë janë kryesisht të subvencionuara.

Kosova prodhon pjesën më të madhe të energjisë nga dy termocentrale me qymyr, jashtë Prishtinës, dhe zakonisht importon 10 deri në 15 për qind të energjisë që konsumon, por gjatë krizës, importet u rritën në 40 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme