Rexha (AGK): Skandaloz, reagimi i Prindon Sadriut ndaj mediave

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka thënë se është skandaloz reagimi i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes, Vjosa Osmani, kjo pasi i quajti mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se deklarata e Sadriut është edhe më e rëndë pasi ai mban edhe poste shtetërore në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Gjuha është kërcënuese, i vë gazetarët në rrezik. Gjuha është e dënueshme, e papranueshme. Si AGK e kemi dënuar këtë gjuhë dhe kemi kërkuar nga presidenca që të distancohet, si dhe MPJD-ja dhe FSK-ja. Sadriu është diplomat i lartë, ka gradë edhe në FSK”, ka thënë Rexha.

I pari i AGK-së ka thënë se nëse institucione në të cilat punon zotriu i parë i vendit nuk marrin masa ndaj tij për këtë deklaratë i bie se pushteti është duke përdorur standarde të dyfishta.

“MPJD udhëhiqet nga një bashkëpunëtore e ngushtë e zonjës Osmani, pjesë e listës që ajo e ka formuar, mund të jap indikacione që edhe nëse shqyrtohet do të shkojë shumë ngadalë ose nuk do të merren masa. Nuk besoj dhe dua të besoj se ky nuk është qëndrim i saj, ky nuk do të duhej të ishte qëndrim i saj, se nëse i bie se është qëndrim i saj është vërtetë skandaloze”.

Ai ka theksuar se AGK-ja e ka ngritur zërin dhe ka alarmuar partnerët ndërkombëtarë për këtë deklaratë

Të ngjashme