Rexhepi: Ndërhyrja e NATO-s, ditë historike e ngjashme me Pavarësinë e Kosovës

Prishtinë | 23 Mar 2019 | 11:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka bërë zëvendësimin e flamurit amerikan te shtatorja e ish-presidentit Bill Clinton, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovës dhe largimit të forcave paramilitare serbe, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, këtë ditë e ka vlerësuar si një jubile dhe ngjarje po aq të rëndësishme sa Pavarësia e Kosovës.

“Sot është një ngjarje e madhe, është një jubile, këtë ngjarje do ta vlerësoja ngjashëm si me ditën e Pavarësisë. Arsyeja është e thjeshtë sepse me datë 24 mars të vitit 1999 u thy klisheja botërore, u vendos një rend i ri, u vendos një formë e re e veprimit të institucioneve ndërkombëtare sepse shtetet të cilat i duan popujt, shtetet që duan paqe ndërmorën aksion kundër forcave paramilitare serbe në Kosovës. Me këtë hap u shpëtuan fëmijët nga vrasjet, nënat, gratë nga dhunimet, u shpëtua populli nga shkatërrimi i mëtejmë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

E, kur u pyet se pse në këtë ngjarje nuk ishin të pranishëm edhe krerë shtetëror institucional, Rexhepi tha se nuk i kanë bërë ftesë atyre.

“Nuk u kemi bërë ftesë. Kemi dashtë sa më thjeshtë, nuk i kemi ftuar, por është një mesazh që u dërgohet ushtarëve amerikan dhe ambasadave që populli shqiptar është shumë mirënjohës ndaj veprimeve që keni marrë sepse ne nuk harrojmë”, tha Rexhepi.

Nesër mbushen plot dy dekada nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s në Kosovë kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

Sulmet e filluara më 24 mars 1999 kishin zgjatur gjithsej 78 ditë. Synimi i bombardimeve të NATO-s ishte ndalimi i gjenocidit serb që po ushtrohej mbi popullatën civile të Kosovës, ku nga vrasja e maltretimi nuk po kursehej askush, përkundrazi pareshtur po vriteshin e po masakroheshin gra, burra, pleq e fëmijë.

Të ngjashme