Rifillojnë kërkimet për policin e zhdukur

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 14:32 | Nga

Njësitet e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe ekipe të ndryshme vullnetare kanë filluar kërkimet për të gjetur pjesëtarin e dytë të policisë së Kosovës që dyshohet se ra në lumin Lepenc.

Mbrëmë, ekipet kërkuese gjetën trupin e Malsor Dashit, zyrtarit policor që ishte shpallur i zhdukur së bashku me policin Armend Trena.

Sot kërkimet do të vazhdojnë për Trenën.

Agim Gashi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt tha se kërkimet kanë rifilluar dhe do të fokusohen në urat e lumit.

“Po rifillojmë përsëri kërkimet që nga vendi i ngjarjes. Do të fokusohemi në urat të cilat janë gjatë asaj pjese, shpresojmë qe nga kërkimi të rezultojmë pozitivisht në gjetjen e pjestarit tjetër të policisë”, tha Gashi.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar dje rreth orës 15:45 se trupi i gjetur në ujërat e lumit Lepenc është i Malsor Dashit.

Malsor Dashin ishte punësuar në Polici që nga marsi i vitit 2016.Ai i përkiste gjeneratës së 53-të të Policisë së Kosovës dhe ishte i angazhuar në stacionin policor në Kaçanik.

Dy policët Malsor Dashi dhe Armend Trena ishin zhdukur të shtunën pasi dyshohet se vetura e tyre ra në lumin Lepenc.

Vetura e tyre u gjet në lumin Lepenc në ditën e parë të kërkimeve.

Të ngjashme