Rigjykim për të ekstraduarin nga Italia që ishte dënuar me 14 vjet burgim për grabitjen me pasoja vdekje

Gjakovë | 09 Maj 2022 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Blerim Nokajt, i cili nga shkalla e parë ishte dënuar me 14 vjet burgim dhe 4 mijë euro gjobë, pasi ishte gjetur fajtor për grabitjen e vitit 2013 në bastoren sportive “Eurolloto” në Gjakovë, ku si pasojë kishte vdekur një person.

Në aktvendimin e Apelit, thuhet se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si rezultat i të cilave rezulton të mos jetë vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të drejtë gjendja faktike në këtë çështje penale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Apelit, qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit se gjatë fazës së hetimeve janë bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale, ku edhe pse janë dhënë vërejtje konkrete nga mbrojtja, gjykata e shkallës së parë as nuk i ka marrë parasysh.

“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet t’i ketë parasysh pretendimet ankimore se a janë respektuar dispozitat procedurale gjatë fazës së hetimeve, por edhe ngritjes së aktakuzës, pastaj përpilimi i dispozitivit të aktgjykimit të bëhet konform dispozitave të nenit 365 të KPPK-së.”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Apeli e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që t’i vërtetojë edhe faktet dhe rrethanat që kanë të bëjnë me lidhjen kauzale.

“Të vërtetohen faktet dhe rrethanat që kanë të bëjnë me lidhjen kauzale në mes të vdekjes së të ndjerit F.P, por edhe veprimet inkriminuese të të akuzuarit, përmes ekspertizës mjekoligjore nga komisioni i përbërë prej tre mjekësh të lëmisë përkatëse profesionale”, thuhet ndër të tjera në fund të aktvendimit të Apelit.

Nokaj ishte ekstraduar në Kosovë nga Italia në gusht të vitit 2020. Në Itali, sipas raportimeve ai prezantohej rrejshëm si shtetas francez.

Ndryshe, në këtë rast, për grabitje në bashkëkryerje ka qenë i akuzuar edhe Fuat Gjevukaj, mirëpo ndaj të njëjtit Prokuroria në Gjakovë e kishte rikualifikuar veprën penale në “ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes” dhe me të njëjtin kishin lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

E këtë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Gjakovë, e cila kishte shqiptuar dënim prej 6 vjet e 6 muaj burgim ndaj të akuzuarit Gjevukaj.

Sipas aktakuzës së pandryshuar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Blerim Nokaj dhe Fuat Gjevukaj ngarkohej me veprën penale “grabitje” nga neni 329, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3.1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Vepër kjo për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Sipas aktakuzës, më 9 qershor 2013, rreth orës 12:10, në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë, pikërisht në bastoren sportive “Eurolloto”, pronë e Nijazi Beqirit, me përdorimin e forcës për të sulmuar jetën e të dëmtuarit Flamur Ponosheci, përvetësojnë para në shumë prej 2 mijë euro.

Siç thuhet në aktakuzë, grabitja ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit kanë shkuar të luajnë në aparatin e lojërave të fatit dhe me mjet të fortë dhe të rrezikshëm e kanë goditur në kokë të dëmtuarin dhe pastaj të dytë kanë sulmuar me mjete të forta, duke e goditur disa herë në kokë, ku i dëmtuari është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen dhe nga xhepat e pantallonave kanë marrë të hollat dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë me 28 qershor 2013. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme