Rikthehet në prodhim blloku A3, Kosovës i shtohen 130 megavatë-orë rrymë

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Tashmë, funksionimi i bllokut A3 i termocentralit Kosova A, është sinkronizuar me stabilimentet e tjera të sistemit elektroenergjetik të vendit dhe është duke prodhuar diku rreth 130 megavatë-orë energji elektrike.

Sot (e martë) që nga ora 7 e mëngjesit është rikthyer në prodhim blloku A3 i termocentraleve Kosova A, i cili ishte në remont për pak ditë, më saktësisht që nga 17 shtatori.

Te A3-shi, remonti i paraparë për sanimin e defekteve teknike të përmasave më të vogla, si pasojë e rrjedhjes së ujit në kalldanë e kësaj njësie prodhuese të KEK-ut, ishte planifikuar të zgjasë diku 4-5 ditë. Mirëpo, sot zyrtarët e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës kanë njoftuar se në saje të angazhimit të madh të ekipeve të mirëmbajtjes, remonti është kryer, praktikisht dy ditë para kohe. Dhe tashm , funksionimi i këtij blloku është sinkronizuar me stabilimentet e tjera të sistemit elektroenergjetik të vendit dhe është duke prodhuar diku rreth 130 megavatë-orë energji elektrike.

Në këtë mënyrë, tashmë nga termocentralet e Kosovës gjenden në prodhim blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B, që bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë dhe A3-shi i rikthyer me kapacitet në rrjet rreth 130 megavatë-orë.

Po të llogaritet gjithsej prodhimi aktual në këto tri blloqe, që janë funksionale, del që B1, B2 dhe A3 po prodhojnë diku rreth 650 megavatë/orë rrymë, plus rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).

Kjo sasi, sipas zyrtarëve të KEK-ut, tani për tani është thuaja e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës gjatë këtyre ditëve. Duhet theksuar, se sado që ka nisur të shfaqen ditët me ulje të ndjeshme të temperaturave, ende konsumi i Kosovës nuk ka luhatje të ndjeshme. Me fjalë të tjera, edhe pse ka zënë të ftohet moti, shpenzimi i rrymës në konsumin e vendit, mbetet thuaja i njëjtë me atë të ditëve të ngrohta, ose diku te 750 megavatë-orë.

Ndërsa, rikthimi i bllokut A4 në funksion, pritet të bëhet kah fundi i këtij muaji. Siç dihet, A4-shi që nga ditët e para të këtij muaji është në remont, siç theksojnë në KEK, të planifikuar, dhe ky remont është paraparë të zgjatë rreth 25 ditë. Po qe se kthehet në fund të këtij muaji edhe A4-shi në punë, atëherë Kosova do të ketë edhe plus 130 megavatë-orë energji elektrike, që në këto rrethana, gjegjësisht deri në ditët e ftohta dimërore është më se e mjaftueshme për nevojat e konsumit të vendit.

Zyrtarët e KEK-ut sot kanë njoftuar se ofertat e pretendentëve për të riparuar A5-shin, më saktësisht turbinën dhe kalldanë e këtij blloku do të hapen me 22 shtator. Dhe pastaj duhet të bëhet përzgjedhja e punëkryesit potencial.

Nëse, remonti kapital i këtij blloku nis në fillim të tetorit, ka gjasë reale që ky bllok të funksionalizohet në fillim të 2023-ës, pasi që punët remontuese janë planifikuar të zgjasin diku rreth 3 muaj. Duhet theksuar se gjatë këtyre 2-3 ditësh, kur jashtë prodhimit u ndodhën edhe A3-shi dhe A4-shi, ose praktikisht të tre blloqet e Kosovës A (A5 është jashtë funksionit që nga gjysma e korrikut, për shkak të planifikimit për t’u bërë remonti kapital), nuk pati reduktime të energjisë elektrike në konsumin e vendit.

Në KEK, nëpërmjet një komunikate për medie, kishin theksuar se për të mbuluar mungesat e shkaktuara nga kjo ndërprerje, janë ndërmarrë masat e nevojshme që të evitohen reduktimet e energjisë elektrike, pa saktësuar se cilat janë ato masa, a do të importohet energjia e munguar apo do të rikthejë KESH-i një sasi të borxhit të akumuluar.

Nga burime të Buletinit Ekonomik në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), është mësuar se sasia e munguar nga prodhimi i Kosovës A, është kompenzuar nga rikthimi i borxhit nga KESH-i. 

Të ngjashme