Rinis ndërtimi i mini-hidrocentraleve, banorët të pafuqishëm për të kundërshtuar

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Futja e lumit Lepenc në gypa ka shqetësuar banorët e Brezovicës.

Ndërtimin e një mini-hidrocentrali, banorët e konsiderojnë uzurpim të së drejtës për të pasur jetë normale.

“Ky është shkatërrim i mjedisit, i ambientit se ky vend është turistik dhe kështu e humb këtë kuptim. Në anën tjetër, është edhe burim i ujit të pijes. E kjo ndalohet që të dëmtohet. Lumi nuk lejohet të ofrohet për koncesion aq më tepër të punohet këtu, sidomos në këto rrethana të pandemisë. Këtu ende punohet dhe rrezikohen të gjithë nga pandemia. Njerëzit s’janë të vetëdijshëm për rrezikun”, ka thënë Dobrivoje Sefanoviq, banor.

Pavarësisht se Ministria e Ambientit kishte pezulluar ndërtimin e hidrocentraleve deri në verifikim, nëse i kanë të gjitha lejet, punimet po vazhdojnë edhe në Biti.

Banorët që kundërshtojnë operimin thonë se shqetësimet janë shtuar në kohën e pandemisë COVID-19 pasi, sipas tyre, ka punëtorë që vijnë nga komunat e tjera si Malisheva, raporton KOHA.

Por Labinot Vitija nga “Matkos Grup” ka thënë për KTV-në se asnjë punëtor i kompanisë nuk është nga Malisheva, derisa theksoi se posedon të gjitha lejet për vazhdimin e punimeve.

“Nga Suhareka kam vetëm dy punëtorë, të cilët janë makinistë dhe asnjëri prej tyre nuk vjen nga fshatrat e prekura të kësaj komune. Sa u përket punimeve, unë kam të gjitha lejet dhe licencat për të punuar. Përveç kësaj, ndërtimi dhe prodhimi, fushë kjo në të cilën hyn edhe biznesi im, është i lejuar të punoj sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkohë zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Avni Zogiani, përmes një përgjigje me shkrim, sqaroi se rrëzimi i Qeverisë dhe situata me pandeminë kanë ndikuar në punën e Ministrisë lidhur me hidrocentralet, meqë ky sektor kërkon reformim.

“Prodhuesit, përpunuesit, ndërtimtarët dhe veprimtaritë e tjera tregtare dhe shërbyese të papërmendura në urdhëresën e MTI-së mund të ushtrojnë veprimtaritë e tyre, duke marrë masat. Kjo është pika që Inspektorati po përdor si bazë për lejimin e punës së ndërtueseve të hidrocentraleve. Ne kemi qenë në një proces serioz të verifikimit të bazës ligjore dhe të zbatimit të standardeve ambientale e ndërtimore të këtyre projekteve. Në shumë raste puna e inspektorëve është sa për sy e faqe dhe ky sektor kërkon një reformim thelbësor për të vendosur standarde të pranueshme. Megjithatë, në këtë situatë gjërat po lëvizin me vështirësi”, ka thënë ai.

Me të marrë detyrën, Qeveria e re paralajmëroi se do të shqyrtohen të gjitha vendimet dhe licencat e operatorëve të hidrocentraleve në vend që po kundërshtohen nga banorët.

Në anën tjetër, Komuna e Shtërpcës, e cila kishte nxjerrë vendimin për ndalimin e punimeve në lumin Lepenc, gjatë së martës, nuk ka dhënë përgjigje lidhur me shqetësimet e banorëve.

Të ngjashme