Rinumërohen 76 vendvotime, aprovohen 29 mijë vota nga diaspora dhe refuzohen 11 mijë e 840

Prishtinë | 23 Shk 2021 | 15:09 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat e 76 vendvotimeve nga 494 vendvotime sa kanë nisur të rinumërohen të hënën pas vendimit që ka marrë KQZ-ja, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të martën në një konferencë për medie.

“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës. Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në QNR është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuar me fletëvotime nga jashtë vendit.

“Në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara”.

Elezi sqaroi se arsyet e mosaprovimit të këtyre fletëvotimeve janë:

“5 078 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, ka thënë Elezi.

Lexo më shumë:

Të ngjashme