Ripyllëzimi – rruga e rimëkëmbjes dhe mirëqenies

Prishtinë | 21 Mar 2021 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet nën moton “Ripyllëzimi – rruga e rimëkëmbjes dhe mirëqenies”, duke theksuar rëndësinë e këtyre ekosistemeve shkatërrimi i të cilave rrezikon shëndetin e njeriut dhe shëndetin e planetit tonë.

Nga ajri që thithim e deri tek drunjët që përdorim, pyjet janë thelbësore për jetën tonë. Ato përfaqësojnë një habitat për më shumë se gjysmën e llojeve tokësore të botës, kurse globalisht më shumë se një miliard njerëz jetojnë në pyje dhe rreth tyre. Pas oqeanit, pyjet janë rezervati më I madh e karbonit. Pavarësisht nga të gjitha shërbimet që ato na ofrojnë, ne po i shkatërrojmë pyjet me një shpejtësi alarmante. Ndikimet e faktorit njeri kanë shkaktuar tashmë humbjen e rreth 40% të pyjeve në botë dhe kërkesa globale për produkte nga druri pritet të trefishohet gjatë tre dekadave të ardhshme.

“Sipërfaqja pyjore në Kosovë është rreth 481 000 ha ose 44.7% e sipërfaqes totale. Sipas ligjit për pyjet, Pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare, do të udhëhiqen në atë mënyrë që të ofrojnë rendimente me vlerë dhe në të njejtën kohë të ruhet biodiversiteti për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Mbrojtja e pyjeve të Kosovës, ende mbetet në nivel jo të duhur. Sipas disa hulumtimeve, niveli i shfrytëzimit të pyjeve dhe nevojave për dru zjarri është më e lartë se sa rritja vjetore e tyre. Në bazë të Inventarizimit të Pyjeve të Kosovës, rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.5 milion m3, kurse prerja e lejuar është rreth 1.4 milion m3, ndërsa sipas disa hulumtimeve, shfrytëzimi i drurit për ngrohje arrinë në rreth 2 milion m3. Kjo na paraqet një tejshfrytëzim të pyjeve nga mundësia e rritjes vjetore. Prerjet e kontrolluara dhe planifikuara nga institucionet përgjegjëse janë në nivel shumë të ulët krahasuar me kërkesat vjetore të popullatës. Mbi 80% e masës drusore konsiderohet se prehet në mënyrë jo të rregullt” tha Krenare Salihu nga WWF Adria

WWF Adria, si pjesë e programit të saj “Zona të Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit”, punon për procese vendimmarrëse dhe planifikime më transparente dhe të hapura në përdorimin e burimeve natyrore. Në pylltari, këto procese janë ende të mbyllura dhe të kufizuara kryesisht në një rreth të ngushtë të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Pjesëmarrja e sektorëve të tjerë dhe publikut të gjerë është shumë e ulët.

“Sot, jemi në një situatë alarmante dhe të gjithë fokusi jonë duhet të kthehet tek mbrojtja e pyjeve dhe ndalimi I shkatërrimit të tokave pyjore sepse mbrojtja e natyrës është gjithashtu edhe mbrojtje e shëndetit tonë dhe fëmijeve tonë”, shton Salihu.

Në vazhdimësi, për vite të tëra ndodhë shfrytëzim i pa planifikuar dhe prerje e pa kontrolluar e pyjeve, degradimi i tokave pyjore nga ndërtimet, gurëthyesit, zjarret etj. Për shkak të këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre dhe këto janë vetëm disa nga problemet e pyjeve në Kosovë. Zjarret pyjore, për momentin, janë shkatërruesit kryesorë të pyjeve ku brenda vitit digjen me qindra apo mijëra hektarë. Për shkak të të gjitha këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre shume funksional duke siguruar ushqim, ujë të pastër dhe ajër të pastër, rekreacion, materiale ndërtimi – me një fjalë, ekzistencë.

Të ngjashme