Rizvanolli e Shala debatojnë gjatë në Komision, paralajmërohen masa për helmimin në Deçan

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 12:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar ministrja Artane Rizvanolli, për planin e Ministrisë së Ekonomisë, për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.

Rizvanolli ka treguar se një nga synimet e saj në krye të kësaj ministrie është krijimi i kushteve për zhvillimin ekonomik përmes përdorimit të teknologjisë.

Poashtu ajo ka thënë se kanë synim rritjen e shumëllojshmërisë së burimeve të energjisë, hartimin e planit kombëtar për energji dhe fuqizimin e fondit për efiçiencë të energjisë.

“Pas skanimit të gjendjes, planifikimi është bërë për këtë vit që shkon drejtë planifikime konkrete dhe të qëndrueshëm. Në këtë plan të këtij viti ne kemi bashkëpunuar ngushtë me departamentet e ministrisë. Në njërën anën jemi munduar të mos ndalojnë nismat e mira”.

“Krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me përdorim të teknologjisë. Kemi hartuar një varg objektivash që specifikojnë atë që realisht mund të arrihet gjatë këtij viti”.

“Sektori i energjisë merr një pjesë të mirë të vëmendjes për rritjen e shumëllojshmërisë së burimeve të energjisë, do të hartohet plani kombëtar për energji. Përparimin e kapaciteteve aktuale duke përmirësuar kapacitetet e termocentralit Kosova B.  Fuqizimi i fondit për efiçiencë të energjisë. Mbështetja e sektorit privat për aplikimin e masave të energjisë elektrike”, është shprehur ajo.

Poashtu Rizvanolli ka thënë se sektori publik mbetet një sfidë dhe gjendja e ndërmarrjeve është shumë e vështirë, me theksim të veçantë keqmenaxhimi i tyre.

“Dinamika e njësisë për monitorim të ndërmarrjeve publike është shtuar”, ka thënë ajo.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka pyetur se deri ku ka shkuar ideja e një formimi të një fondi për teknologjinë e informacionit, ndërsa ministrja Rizvanolli ka thënë se për këtë pjesë është përgjegjëse MINT.

Dekomisionimi i aseteve jo-funksionale të termocentralit Kosova A nga fondet e IPA-s, ka qenë pikë që ka ballafaquar ministren Rizvanolli me deputetin e PDK-së, Ferat Shala.

Sipas Shalës kjo ministri është e papërgatitur për këtë proces. Ndërsa sipas Rizvanollit për këtë vit mund të caktohet vetëm lokacioni për bartjen e këtyre objekteve.

Shala ka shprehur ngushëllime për familjarët në Deçan dhe ka pyetur se a ka operator të ujit të pa licencuar publik në territorin e Kosovës. Edhe ministrja Rizvanolli ka shprehur ngushëllim dhe shqetësim për familjet që janë prekur nga rasti i helmimit.

Poashtu ajo ka thënë se do të dalin në terren dhe nëse është lëshim i ndërmarrjes Hidrodrini do të ndërmarrin hapa brenda mandatit të ministrisë.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt për vazhduar të dimë se çka ka ndodhur. Neve na intereson të dimë se a ka pasur ndonjë lëshim në menaxhim të ndërmarrjes Hidrodrini. Janë duke u kryer analizat dhe nesër do të vizitojë kompaninë për të parë nga afër punën e saj. Nëse ka ndonjë lëshim ne si ministri do të ndërmarrim që mos të ndodhë në të ardhmen”.

“A keni informacion që një fabrikë furnizon një pjesë të madhe të veriut, është e furnizuar nga Liqeni i Ujamit dhe nuk faturon. Një fabrikë e ujit në Zubin Potok që po furnizon pjesën veriore ku po i kryen analizat ajo”, ka pyetur Shala.

Kurse Rizvanolli pa dashur të flas për rastin konkret ka thënë se ky është një problem kompleks, por që do të bëjnë maksimumin për furnizimin të barabartë të gjithë qytetarëve me ujë.

“Atje përballemi me probleme të trashëguara dhe të trasuar që 20 vjet. Mund të ju them që ne do të bëjmë maksimumin që situata me furnizimi të trajtohet dhe të ketë furnizim të barabartë. Ky është një problem shumë kompleks të cilat nuk besoj që do të duhej të ishin temë e diskutimit për sot”.

Kurse Shala ka dashur përgjigje të saktë se a është e informuara apo jo për këtë rast.

Ndërsa këtu ka ndërhyrë deputeti i VV-së Armend Muja i cili ka thënë se kjo nuk është përgjegjësi e ministrisë por e Autoritetit Rregullativ të Ujit.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se është për keqardhje që nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria për rastin në Deçan.

“Kjo duhet të dënohet nga qytetarët dhe ata që e duan të mirën e qytetarëve dhe shëndetit të tyre”.

Poashtu Lekaj ka pyetur se a e pranon ajo Marrëveshjen e Washingtonit.

“Ku keni arritur me marrëveshjen e Washingtonit a e keni lexuar a e pranoni si Qeveri apo keni mendim ndryshe”.

Ndërsa ministrja Rizvanolli ka thënë se ministria po vazhdon të jetë pranë qytetarëve. Ndërsa mendimin e Qeverisë e kanë marrë sa i përket Marrëveshjes së Washingtonit.

Të ngjashme