Rojet e pyllit të akuzuar për korrupsion nuk e kundërshtojnë akuzën, Gjykata e Pejës kalon në shqyrtim kryesor

Prishtinë | 26 Gus 2022 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Të pandehurit Jeton Berisha dhe Isam Ahmetxhekaj përmes mbrojtësve të tyre, nuk e kanë kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë së Pejës ndaj të cilëve rëndon akuza për korrupsion.

Edhe pse sot ishte e paraparë të mbahej shqyrtimi i dytë, kryetari i trupit gjykues, Shaqë Curri konstatoi se të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, avokati Faruk Binakaj dhe Flamur Kelmendi nuk e kishin paraqitur me shkrim kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Si rrjedhojë e kësaj, gjykatësi Curri caktoi seancën e shqyrtimit kryesor më 18 tetor 2022, ora 10:00.

Ndryshe, pasi Gjykata e Apelit e prishur vendimin dënues të  Gjykatës së Pejës, pranë kësaj të fundit, me 14 korrik 2022, është mbajtur përsëri shqyrtimi fillestar në të cilin dy të akuzuarit  Jeton Berisha dhe Isam Ahmetxhekaj janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë së Pejës që i rëndojnë për korrupsion.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore më Pejë më 9 dhjetor 2021, i pandehuri Jeton Berisha, më 19 nëntor 2021, në Deçan në Laurën e quajtur Gryka e Deçanit, e cila është në kuadër të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare thuhet se i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dëshmitarin Florin Tahirsylaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri e ka sugjeruar rojtarin i cili ka qenë në detyrë, Isam Ahmetxhekaj që ky i fundit të lirojë kamionin e dëshmitarit Florim të ngarkuar me masë drunore që të kalojë në Laurën nr.1, pa e pajisur me dokumentacion përkatës, fletëpërcjellje dhe pa evidentuar në librat e evidencës.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isam Ahmetxhekaj thuhet se duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Jeton, derisa  ka qenë në detyrë zyrtare ka lejuar dëshmitarin Florim Tahirsylaj ta kalojë Laurën nr.1 me kamionin e ngarkuar me masë drusore, pa e pajisur me dokumentacion përkatës, fletëpërcjellje dhe pa evidentuar në librat e evidencës.

Për këtë veprim, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414par.1 të KPK-së, për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 1 deri në 8 vite burgim.

Të ngjashme