Rrëfimi i veteranes Mimoza Shala, në moshën 17 vjeçare iu bashkua UÇK-së

Prishtinë | 10 Nën 2020 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Ishte vetëm 17 vjeçare kur i ishte bashkuar luftës së fundit në Kosovë. Atëherë kur nuk dinte se si do të mbaronte e sotmja dhe nuk e dinte nëse do ta niste të nesërmen.

Është kjo Mimoza Shala, nga qyteti i Gjakovës, e cila ishte pjesëmarrëse në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Dukagjinit.

Atë kohë ajo e kujton me plot dhimbje.

Ideja për t’iu bashkuar luftës, në vitet 1998-99 erdhi nga një grup i vogël nxënësish, të cilët e kishin një qëllim: të ju dalin në ndihmë shokëve dhe çlirimin e vendit.

“Ende nuk i kisha mbushur 17 vjet. U mobilizuam bashkë me shokë e shoqe në gjimnaz. Pra organizimi ynë ishte në shkollë. Ishte fundit i vitit 1998 ku iu bashkuam UÇK-së. Veprimtaria ynë kryesisht ishte në Zonën Operative të Dukagjinit…Deri në çlirim kam qenë pjesë e Brigadës 137- Gjakova”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mimoza Shala.

Përveç vështirësive , ajo kujton momentin më të dhimbshëm, në kohën kur ajo ishte ushtare.

“Rasti i Yllka Domit dhe Kushtrim Hoxhës më kanë mbetur në mendje dhe asnjëherë nuk më largohen. Yllka Domi ra Çabrat. E kam kujtesë të freskët pasi ishim në gjeneratë dhe ndihesha e pafuqishme të bëjë diçka që ajo të jetojë. Ndërsa Kushtrimin e kujtoj nga malet te Reka e Keqe. Kur zgjohem në mëngjes e shoh që Kushtrimi kishte vdekur dhe vëllai i flinte te koka e tij ndërsa babai te këmbët. Mos të flasim për varrimin e tij, ku nuk kishim as mjete dhe varrin u detyruam ta hapim me thika e grushte”, tregon veterania.

Mimoza u plagos më 7 maj 1999 gjatë luftimeve në kodrën e Çabratit në Gjakovë. Vullneti i saj për jetë, e bëri që ajo të kalojë këtë sfidë, duke u shëruar në male.

“U plagosa me 7 maj në Betejën e Çabratit. Aty humbëm disa shokë e shoqe. U kujdes një teknik që quhej Shkëlzen Gashi por edhe u kujdesa për veten. Refuzova të shkojë për shërim në Tiranë. U shërova maleve pasi metabolizmi im punonte mirë”, tregon më tej Mimoza Shala.

Pas 21 viteve çlirim të vendit, Mimoza Shala e kujton kohën e luftës me të njëjtën dhimbje, për humbjen e shokëve. Ndërsa me gojën plotë ka thënë se prapë do ta bënte të njëjtën gjë!/RTV Dukagjini

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme