Rrëfimi i kosovares së vetme në samitin botëror “One Young World” (Foto)

Prishtinë | 29 Tet 2016 | 10:16 | Nga

“One Young World” është një nga ngjarjet më të mëdha botërore për të rinjtë. Kjo ngjarje njihet që vjen pas Lojërave Olimpike, për nga diversiteti i përfaqësuesve.

Nga 196 shtete përfaqësuese, aty ishte edhe Kosovë me përfaqësuesen Liridona Osmanaj. Ajo ka rrëfyer për portalin Koha.net përvojën e pashoq në Otawa të Kanadasë, duke përfaqësuar vendin e vogël dhe më të në Ballkan.

Pasi Osmanaj ka qenë përfaqësuese e vetme e Kosovës atje, organizatorët e kanë shpërblyer edhe me bursë, me të cilën i janë mbuluar të gjitha shpenzimet e pjesëmarrjes. Ajo tregon më shumë rreth këtij samiti global të të rinjve, transmeton Koha.net.

“One World është një organizatë me bazë në Britani të Madhe dhe çdo vit organizon një samit global të të rinjve në kryeqytete të ndryshme të botës. Ky samit mbledh së bashku liderët e rinj më të zgjuar nga e gjithë bota, bën fuqizimin e tyre për të krijuar lidhje të qëndrueshme mes vete, e krijon një mjedis pozitiv dhe hapësirë për të ndarë ide që të krijohet një botë më e mirë”, ka treguar Osmanaj, teksa shton se çdo vit ndryshojnë temat për të cilat punohet gjatë samitit, e këtë vit tema ishin: arsimi, mjedisi, biznesi global, të drejtave e njeriut, shëndeti mendor dhe paqja e siguria.

Ajo shprehet shumë e gëzuar se në oborrin e Parlamentit të Kanadasë, gjatë ceremonisë hapëse, valëviti flamurin kosovar, përkrah të gjithë flamujve tjerë botëror.

“Pasi që isha e vetmja delegate nga Kosova, kisha edhe fatin të bartja flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse dhe të valëvisja atë para syve të botës. Përderisa gjendesha në mesin e gjithë atyre flamujve, kuptova diçka: njohurinë time të limituar për të gjitha ato kultura e njerëz që ekzistojnë në botë. Takova njerëz nga vendet e të cilëve mezi që mund t’i gjej në hartë, si Micronesia, Seychelles, Kiribati, Guyana, Tuvalu, e të tjera e të tjera”, shton më tej e reja nga Gjakova, Liridona Osmanaj, e cila është e bindur që ka shoqëri në gjysmën e botës.

Shumëllojshmëria e personave që ka takuar dhe ka pasur bashkëpunim me ta është interesante. Fillon nga ata që ishin cak i sulmeve terroriste, deri te ata që ishin pjesë e revolucioneve nëpër botë.

“Takova njerëz që kishin qenë direkt pjesë e sulmeve terroriste dhe kishin shpëtuar, që kishin qenë ushtarë-fëmijë, që kanë qenë pjesë e ekipit së refugjatëve në Lojërat Olimpike, që kanë qenë pjesë e revolucionit në Ukrainë, që kanë krijuar kompani me fitim 1 milion euro, që kanë qenë ekstremiste dhe pastaj kanë ndryshuar, që janë transgjinor dhe tani luftojnë për të drejtat e njeriut, etj. E përbashkëta e të gjithë këtyre njerëzve ishte se kishin kaluar nëpër eksperienca të tmerrshme, mirëpo kishin transformuar ato eksperienca në vendosmëri për të ndihmuar njerëzimin”, thotë ajo, duke treguar edhe për emrat e mëdhenj që kanë marrë pjesë.

“Disa nga këshilltarët e samitit të këtij viti ishin kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, Mary Robinson ish-presidente e Irlandës, John Landau fitues i çmimit “Oskar”, Prodhues i Titanikut dhe Avatarit, aktorja dhe Goodëill ambasadorja Emma Watson, profesor Muhammad Yunus, themelues i Micro-Finances dhe fitues i Nobel Peace Prize, këngëtarja Cher, e të tjerë”, numëroi disa nga pjesëmarrësit e famshëm të këtij samiti që asistuan të rinjtë me ligjërata dhe punë.

Osmanaj, që ka studiuar për pesë vite në SHBA, ndjehet tejmase mirë pas kësaj përvoje, që e ka mbushur me optimizëm për të vazhduar tutje.

“Unë në përgjithësi jam person optimist dhe e konsideroj veten idealiste pragmatike, që pavarësisht gjendjes aktuale në Kosovë, besoj fortë se ka shpresë dhe se nëse të gjithë në e bëjmë pjesën tonë, prosperiteti dhe një jetë e mirë për të gjithë është më se e arritshme. Megjithatë, si një person i ri nga Kosova, është shumë e vështirë ta mbash këtë qëndrim pasi që në baza ditore ballafaqohem me një nivel tejet të lartë të dëshpërimit”, rrëfen Osmanaj, që megjithatë vazhdon të besojë në një lëvizje pozitive për shtetin e ri të Kosovës, e për këtë ajo thotë se shumë e shohin si të “çmendur”.

Por ky samit i ka mundësuar që të gjejë edhe të tjerë që kanë të njëjtin qëllim.

“E të qenit pjesë e këtij samiti më ka lejuar të jem pjesë e një rrjeti të shpresës, të shoh se nuk jam e vetmja ëndërrimtare e çmendur dhe qe nuk jam vetëm në përpjekjet e të qenit kampione kokëfortë e paqes dhe prosperitetit”, përfundon Osmanaj, duke shtuar se është e gatshme të ndihmojë këdo tjetër nga Kosova që pretendon të marrë pjesë në atë samit, vitin e ardhshëm./Koha.net/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme