Rrëfimi nga familja e vajzës së vrarë: Janë martu para dy muajsh, kemi pyet për djalin s’na kanë thënë fjalë të mira

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

M.O, 18-vjeçare, është privuar nga jeta ditën e djeshme në Ferizaj. Ajo është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqa 29-vjeç, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga.

Emri i Dardan Krivaqës ishte i njohur për qyetetarët në Ferizaj, edhe para se ai të kërkohej si i dyshuar për keqtrajtimin deri në vrasje të partneres së tij. Për Krivaqen, thanë se prej vitesh ka qenë problematik dhe i dyshuar për kryerje të veprave penale. Megjithat, familja e M.O, ia kishte dhënë “bekimin” martesës së tyre, pasi, sipas dajës së vajzës, nëna e Dardanit u kishte thënë se çifti kanë dashuri mes vete dhe nuk do të kenë probleme.

Daja i të ndjerës, tha për Gazetën Express se vajza nuk është ankuar se ka pasur probleme me partnerin e saj.

“Unë jam daja i M. Dje e kemi marrë vesh dikur rreth orës 22:00, nuk kemi ditë diçka që ka ndodh. Por në bazë të informatave, e kemi marrë vesh që është mbesa jonë. Kemi ardhë këtu, kemi bisedu me familjen. Kjo është e vërtetë, ajo është martu që 2 ose 3 muaj…Vajza nuk ka tregu kurgjë që ka raporte të këqia, por në bazë të rrethanave, si dajë, kemi pyet kush është filani (burri i saj). Nuk kanë folë fjalë të mira, që është njeri i sjellshëm ose djalë i mirë, por e paska pas fatin…U njoftu me të, u martu, kur ka ardhë në shtëpi, se kam qëllu unë këtu një herë ose dy, më kanë thënë dajë mirë jemi duke kalu. Diçka që me thanë që s’po shkon mirë, s’na ka tregu”,

Por, ai thotë se babai i viktimës e ka vërejtur nga sytë e Dardanit se çifti po fshehin diçka.

“Por, në bazë të babës së saj, se ky e ka pyet qysh po kalon, ajo ka thënë mirë, por po thotë se e ka vërejt në bazë të syve të atij djalit se ka pas diçka të fshehtë”, u shpreh ai tutje.

Daja i viktimës pohon se 18-vjeçarja kishte nisur një punë, por e kishin larguar nga puna me të marrë vesh se është partnerja e Dardanit.

“Janë martu, banesën e kanë pas qaty, ja kish pas nis vajza me punu diku një javë apo dhjetë ditë më një vend, por për çka u largu prej punës nuk muj me ditë. Fjalë të popullit, e kanë hetu që është femra e filanit dhe e ka largu, se s’ka desht me pas probleme me të”, tha ai tutje.

Ai tha se ceremonia e varrimit pritet të bëhet ditën e nesërme, ndërsa e pamja do të zgjasë tri ditë.

“Nesër bëhet varrimi, tri ditë zgjatë e pamja, dhimbja është e madhe por nuk dina se çka bëjmë”, u shpreh ai.

Të ngjashme