Rrëfimi prekës nga Masakra e Mejës, nëna u kërkonte forcave serbe ta vrisnin atë e jo djalin

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Sot 22 vjet më parë ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha në Kosovë ku 376 persona janë vrarë dhe masakruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Sot edhe pas më shumë se dy dekadave 18 persona janë ende të pagjetur.

Kjo dhimbje e madhe mbetet ende për Ibrahim Haxhiun i cili ka familjarë të masakruar në Masakrën e Mejës.

Kujtimet për të janë akoma të freskëta, por e ka vështirë të flasë për këtë ngjarje tragjike.

Ai në Klan Kosova, ka rrëfyer për disa momente shumë të dhimbshme të kësaj ngjarje.

“Kujtimet i kena të freskëta sikur të kishte ndodhur ngjarja sot, por rrëfimet janë aq rrënqethëse sa që nuk po mundemi as t’i paramendojmë. Një traktor me familjarë, dhe jo vetëm nga një shtëpi por nga e gjithë lagjja, burra gra dhe fëmijë, kur kanë ardhur tek pika e ndalimit i kanë zbritur të gjithë burrat dhe kanë mbetur vetëm gratë dhe fëmijët në traktor. Shumicën e rasteve janë detyruar që gratë të zbresin nga rimorkiot e traktorëve dhe ta drejtojnë traktorin për në Shqipëri. Prej moshës 13 vjeçare deri në moshën 86 vjeçare kemi pasur raste që i kanë larguar nga familjet e tyre”.

Ai tha se të masakruar i ka dy anëtarë të familjes, derisa tregoi një moment shumë emocional ku nëna e tij ka zbritur nga traktori duke iu kërkuar forcave serbe që ta merrnin atë dhe të mos ia merrnin djalin,

“Unë bashkë me vëllanë dhe djalin e axhës i kam edhe 54 bashkëfshatarë të masakruar. Në ditën e masakrës nuk kam pasur kontakt me familjen për shkak se kam qenë në një pikë të quajtur “Kallavaj” në zonën e Junikut. Forcat serbe i kanë tërhequr nga shtëpia dhe ne nuk kemi pasur rast më t’i takojmë”.

“Kur kanë ardhur tek pika e kontrollit e kanë zbritur edhe vëllanë. Ka zbritur nëna ime dhe ka thënë ‘Më merrni mua dhe mos ma merrni djalin’, dhe e kanë goditur me qytë të armës dhe është rrëzuar nëna e cila ka qenë edhe e sëmurë”.

Të ngjashme