Rrëfimi i psikologes për doktorët e “akullt” kur humbi vajzën

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 22:01 | Nga

Ngjarja tragjike e ndodhur mëngjesin e sotëm në maternitetin “Koço Gliozheni” i ka rikujtuar psikologes së njohur Mirela Sula tragjedinë e saj të ndodhur para 19 vitesh.

Në një rastësi të habitshme që ajo e quan “synchronicity”, psikologja tregon se si sot para 19 vitesh edhe ajo është përballur me tragjedinë më të madhe të jetës, atë të ndarjes nga jeta të vajzës së saj 7-muajshe.

“Sot mbushen plot 19 vjet që ime bijë Elvana është ndarë nga jeta. E dije këtë, apo është rastësi nga Universi? Unë e quaj synchronicity.

Sot dëgjova gjithashtu që një nënë është ndarë nga jeta bashkë me foshnjën e saj. Më godasin si rrufe këto lajme! Kush e ka fajin? Këtë pyetje e kam drejtuar edhe unë sa herë korridoreve të spitalit teksa ndeshesha me doktorë te akullt… Por tani them, e ç’rëndësi ka? Do më kthehet më Elvana? Duhet ta pranojmë qe jeta na përball me sfida pa fund, por askush nuk do te na e japë dorën nëse ne vete nuk bëjmë përpjekje … dhe të ecim përpara duke e përmirësuar karmën tonë. Siç është tani, bota nuk është e drejtë në asnjë cep te saj, por ta kërkojme drejtësinë është e drejta jonë edhe pse zor do ta gjejmë atë”, shkruan ajo në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.

Në një intervistë të dhënë këtë muaj, psikologja e njohur si “Migrant Woman” ka rrëfyer ngjarjen e dhimbshme të humbjes së vajzës vetëm 7-muajshe dhe vuajtjet që i është dashur të kalojë në përpjekje për ta shpëtuar.

“Në përpëlitjet e dhimbjes për ta mbajtur gjallë mbaj mend veten duke ecur në rrugët e Tiranës për herë të parë. Teksa i laja me lot ato rrugë duke u munduar të përballoja klithmat e sime bije në spital e pyesja veten: Çfarë do të ndodhë me jetën time? Jam vetëm 22 vjeçe dhe më duket vetja si e humbur në këtë botë që duket krejt e huaj për mua.

Për herë të parë eksplorova Tiranën dhe shihja që shoqet e mia shkonin në shkollë apo ndiqnin ëndrrat e tyre, ndërsa unë dergjesha në spital e zhytur në depresion me time bijë vetëm 7 muajshe. E kush mund t’i kuptonte ankthet e një gruaje të re fshati si unë! Fundja, kush isha unë? Askush, një nuse fshati që duhej të fshija çdo ditë oborrin, të piqja bukën në furrë, të prisja berret kur vinin nga mali, të milja lopën, të laja rrobat me dorë dhe për këtë duhej të ndizja një zjarr të madh përjashta, të vija një  kazan të madh me ujë të ngrohtë teksa ngrija së ftohti në borë. Ja, kështu ka nisur udhëtimi im. Kur humba edhe time bijë, e cila nuk ia doli dot të jetonte, thashë se udhëtimi mbaroi, kaq ishte. Por pasi luftova me depresionin, që askush nuk donte t’ia dinte (duke e shtypur veten të mos merrja ilaçe) m’u desh të ngrihesha në këmbë, sepse një fëmijë tjetër do të vinte në jetën time dhe unë duhej të jetoja për të. Dhe jo vetëm të jetoja, por të fuqizoja veten që t’i jepja atij një fëmijëri të lumtur dhe jo si e imja.

Vetëm pas një viti, kur në  jetë kishte ardhur im bir, bëra gati valixhen dhe u nisa për një jetë të re në Tiranë. Një udhëtim që nisi për të më hapur shumë shtigje të tjera”, ka rrëfyer psikologia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme