Rrëqebulli i Ballkanit renditet në Shtojcën II të Konventës së Bernës

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 20:51 | Nga

Me propozimin e realizuar nga Shqipëria, listimi i tij u votua unanimisht nga palët nënshkruese gjatë takimit të 37-të të Komitetit të Përhershëm të Konventës, mbajtur në Strasburg, Francë, nga 5-8 dhjetor 2017.

Pas atij takimi, ishte e nevojshme një periudhë prej tremuajsh për paraqitjen eventuale të ndonjë kundërshtim nga palët në mënyrë që lista të ishte zyrtare. Tani, tre muaj më vonë, pasi nuk pati asnjë kundërshtim nga palët Rrëqebulli i Ballkanit zyrtarisht e ka arritur këtë status.

Prania e këtij lloji të rrezikuar në Kosovë, gjegjësisht në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është konfirmuar si nga OJQ ERA ashtu edhe nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës qysh në vitin 2015.

Pas njohjes së rrëqebullit si i rrezikuar në mënyrë kritikë nga IUCN, listimi në Shtojcën e II të Konventës së Bernës do të thotë që ky nënlloj ka tashmë një mbrojtje dhe ruajtje më strikte si dhe kërkon një angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe ruajtjen popullatës së Rrëqebullit të Ballkanit jo vetëm në nivel kombëtar por edhe në atë Evropian si dhe nxit bashkëpunimin ndërkufitar për ruajtjen e tij.

Konventa e Bernës është Konventa për ruajtjen e florës dhe faunës së egër dhe mjedisit natyror të Europës. Kjo konventë ende nuk është ratifikuar nga shteti i Kosovës për shkak se ndërlidhen me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë konventë, llojet me status të rrezikuar dhe vulnerabël duke përfshirë këtu edhe ato migratore me status të rrezikuar dhe vulnerabël, u jepet rëndësi e veçantë dhe janë të rënditura në tre Shtojca:

Shtojca I: Përmban një listë prej 119 llojeve të mbrojtura të florës të cilat nuk mund të këputen, mblidhen, priten ose shkulen qëllimisht dhe vendbanimet e tyre të mos preken.

Shtojca II: Përmban nje listë të 580 llojeve të faunës strikt të mbrojtura, nga lundërza deri tek pilivesa, të cilat nuk mund të kapen, vriten, shfrytëzohen ose shqetësohen qëllimisht në çdo lloj mënyre, ose që habitatet e tyre të preken.

Shtojca III: Përmban një listë të llojeve të faunës të cilat duhet të mbrohen, por për të cilat mund të ushtrohet gjueti e autorizuar.

Shtojca IV: Përmban mjetet dhe metodat e ndaluara për vrasjen, ose kapjen e kafshëve dhe shpendëve.

Të ngjashme