Rreth 30 mln euro në vit për Gjykatën Speciale

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 19:39 | Nga

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit holandez ka miratuar propozimin e Ministrisë së Jashtme, me të cilin lejon që Kosova të vendosë selinë e Gjykatës Speciale në Hagë.

Dokumentet janë votuar pa debat, por është paraprirë vetëm me komente të shkruara mes grupeve parlamentare dhe Ministrisë së Jashtme të Holandës, raporton KTV.

Partia Popullore për Liri dhe Demokraci, që ka shumicën e ulëseve në Parlament, 40, ka kërkuar më së shumti sqarime, kryesisht nëse Holanda merr ndonjë përgjegjësi financiare dhe ligjore.

“Disa vende do të kontribuojnë në formë financiare, por edhe me resurse njerëzore. Por, kontributi i Norvegjisë dhe SHBA-së ende nuk është bërë formalisht publik. Vendimi i BE-së është se një shumë prej 29.1 milionë eurosh janë ndarë për periudhën qershor 2015 – qershor 2016. Për vitin tjetër, do të vendosë Këshilli i Bashkimit Evropian, por në vitet e ardhshme shuma mund të jetë më e madhe, sepse ende Gjykata është në themelim e sipër”, thuhet në këtë dokument.

Aty gjithashtu sqarohet se Gjykata është vendosur përkohësisht në një ndërtesë të pashfrytëzuar qeveritare, kurse në prill 2018 do të jetë gati ndërtesa ku ka qenë i vendosur Europoli, e që po rindërtohet për nevoja të Gjykatës Speciale.

MPJ e Holandës ua ka sqaruar deputetëve se kohëzgjatja e Gjykatës nuk mund të dihet dhe varet nga numri i të akuzuarve, edhe pse fillimisht ajo ka mandat 5 -vjeçar.

Megjithatë, autoritetet lokale holandeze gjatë kësaj kohe do të kenë kompetencë që të lëshojnë urdhër -arrest dhe të arrestojnë këdo që arratiset nga mbajtja në Holandë.

Sipas procedurave në Holandë, tani propozimi dërgohet në Senat dhe nëse Senati e pranon, atëherë i dërgohet ministrit që ta nënshkruajë të gjithë marrëveshjen dhe pastaj mund të konsiderohet e ratifikuar.

Kjo ka qenë një nga procedura që çon drejt funksionalizimit të Gjykatës Speciale për Kosovën.

Por, shefja e Zyrës për Media i ka thënë KTV-së se Gjykata po kryen ende procedura teknike dhe nuk ka mundësi të ndërmarrë veprime gjyqësore, pra të nisë publikimin e aktakuzave dhe t’i dërgojë ato para Gjykatës.

“Një nga parakushtet që Gjykata të mund të kryejë procedura gjyqësore është ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, por duhet të bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve. Gjithashtu, Rregullat për Procedurën dhe Dëshmitë duhet të miratohen si një nga dokumentet më të rëndësishme”, ka thënë Benes, transmeton KP.

Gjykata Speciale do të gjykojë të gjeturat e raportit të senatorit Dick Marty që kryesisht flet për krime lufte, por edhe të tjera krime në periudhën 1998-2000.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme